Integrimi / Mickoski: Zgjedhim rrugën e gjatë dhe të vështirë por me dinjitet

Gazetare: Fatlume Dervishi 

Qeveria aktuale ka zgjedhur rrugën më të vështirë dhe më të gjatë drejt drejtë bashkimit Evropian, por me dinjitet, thotë kryeministri Hrtistijan Mickoski, në Samitin “Maqedonia 2025”. Ai tha se nuk do të zgjedhë rrugën e shkurtër poshtëruese.

“Ne e vlerësojmë që nuk ka rrugë më të shkurtër. Domethënë, ka, por ajo rrugë më e shkurtër ka sfidat e veta. Më shpesh, këto sfida janë poshtëruese. Dhe për këtë arsye themi: nëse duhet të ndjekim rrugën më të vështirë, do ta ndjekim rrugën më të vështirë, por do ta fitojmë atë vend me cilësi dhe rezultate, jo duke nënshkruar fletë të bardha letre. Sepse ato krijojnë probleme për gjeneratat e reja prandaj ne kemi zgjedhur të shkojmë rrugës më të vështirë. Dhe rruga më e vështirë ka çmimin e saj. Burokratët shpesh u tregojnë çfarë duhet të bëni sepse për to është biznes kurse për ju është gjithçka. Dinjiteti nuk ka çmim”, tha kryeministri Hristijan Mickoski. 

I pyetur për hapat e ardhshëm, kryeministri tha se nevojitet lobim tek fuqitë botërore.

“Mendoj se tani ajo që na duhet është më shumë zë në qendrat kyçe botërore në BE dhe në SHBA dhe në kontinente të tjera. Ne duhet të luftojmë për të vërtetën tonë. Nëse ne nuk luftojmë për të vërtetën tonë dhe këtë nuk e themi guximshëm, atëherë do ta humbim betejën”, tha kryeministri Hristijan Mickoski. 

Deklaratat e kryeministrit vinë një ditë pas Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE-së nga ku përfaqësuesit e institucioneve të BE-së përcollën mesazhin se duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe reformat. Në korniza të këshillit, ministri i Jashtëm Mucunski takoi homologen e tij bullgare Velisllava Petrova Çamova. Takimi i shkurtër shkaktoi reagime për shkak të interpretimeve dhe porosive të ndryshme që përcollën palët.

Mucunski tha se ishte një shkëmbim fjalësh njëminutësh në margjinat e një eventi, ndërsa Çamova njoftoi se ata patën një “takim të parë të mirë”. Sipas mediave bullgare, pikëpamjet e Sofjes u përsëritën edhe gjatë bisedës në Bruksel. Ministrja bullgare theksoi se nga viti 2022 çështja nuk është më dypalëshe, por është midis Bashkimit Evropian dhe vendit kandidat. “Kjo dritare zgjerimi mund të hapet në vitet e ardhshme, por nëse nuk shfrytëzohet, mund të humbasë”, tha në njoftimin e saj ministrja bullgare Çamova.

LEXO EDHE:

Back to top button