Interesim i lartë i kandidatëve të pavarur në zgjedhjet lokale

Interesim i lartë i kandidatëve të pavarur në këto zgjedhje lokale. Sipas KSHZ-së, deri më tani, nënshkrime për kandidat të pavarur për kryetarë komunash kanë mbledhur 18 persona dhe atë për Qytetin e Shkupit, për Kërçovën, Ohrin, Prilepin, Manastirin dhe për komuna të tjera. Ndërsa në proces për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidat të pavarur për kryetar komune janë 15 persona për më shumë komuna në vend. I madh është edhe numri i Listave të pavarura për këshilltar në këshillat komunal. Sipas të dhënave më të fundit të KSHZ, për momentin nënshkrimet i kanë siguruar 38 lista, ndërsa edhe 26 lista të tjera, presin që të sigurojnë nënshkrimet e duhura dhe atë në më shumë komuna në vend.

Partitë e mëdha nuk shqetësohen nga numri i madh i kandidaturave të pavarura për kryetar komune, por edhe të listave për këshilltar komunal. Sipas kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, shumëllojshmëria e listave është dëshmi për lirinë dhe demokracinë që sundon në vend. Por sipas tij, LSDM bashkë me partnerët qeveritar do të dalë fituese e zgjedhjeve lokale.

 “Unë besoj në fitore të madhe të koalicionit tone për shkak se është stabil dhe i vetëm. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer me BDI-në, siç kemi edhe me Besën dhe PDSH-në. Mbështetjen do ia besojmë njëri tjetrit dhe do ia japim, besoj se kështu, para së gjithash, do të mundemi më mirë t’u shërbejmë qytetarëve për shkak se jemi pushtet qendror, ndërsa bashkimi i pasqyruar në pushtet lokal do të jetë kapacitet më tepër që më lehtë të ballafaqohemi me sfidat dhe në të ardhmen të implementojmë sa më shumë projekte që mundemi”- deklaroi Zoran Zaev, LSDM.

Nga VMRO-DPMNE, vlerësojnë se paraqitja e madhe e kandidatëve dhe listave të pavarura në zgjedhjet e ardhshme lokale, dëshmon se LSDM është e kidnapuar nga numër i vogël i njerëzve.

VMRO-DPMNE

“Nuk është dëshmi për lirinë, por është dëshmi se partia është kidnapuar nga një klikë e ngushtë e cila pengon mendimin ndryshe. Kjo ishte edhe vërejtja thelbësore e njërit nga kuadrot e reja të pavarura të cilët refuzuan t’i shërbejnë.”

Mbledhja e nënshkrimeve për kandidat të pavarur për kryetar komunash dhe për listat për kandidat të pavarur për këshillat komunal filloi më 16 gusht dhe do të zgjas deri më 30 gusht.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button