Interesim i ulët për imunizim në Kumanovë, për 4 orë vaksinohen vetëm 20 persona

Interesim i ulët për imunizim në Kumanovë, për 4 orë vaksinohen vetëm 20 persona

Gazetar: Adnan Qaili

Fushata për vaksinim anti-kovid u zhvillua sot në Sheshin e Kumanovës. Për 4 orë sa qëndroi hapur pika mobile e imunizimit, u vaksinuan vetëm rreth 20 qytetarë. Shumica prej tyre morën dozën e tretë.

“”Jam operuar kam shufër hekur në thembër, ndër vite kam pasur sëmundje tjera tash mbusha 85 dhe mora dozën e tretë të vaksinës.”

“Kjo është doza e tretë dhe deri më tani jam mirë ta shohim më tej ndenje reagim. Apeli im është që të vaksinohen dhe duhet ta bëjnë këtë gjë.”

Stafi mjekësor bën thirrje për të gjithë qytetarët të mos dyshojnë në efikasitetin e vaksinave.

“Kohëve të fundit regjistrojmë një numër të ulët të qytetarëve të cilët vijnë për të pranuar dozën e parë të dytë apo të tretë. Ka disa që kanë marrë dozën e parë dhe ngurrojnë të marrin të dytën, dhe ka të tjerë që nuk pranojnë të marrin dozën e tretë. Por, deri më tani si armë e vetme për të luftuar pandeminë është vaksinimi, i cili parandalon format e rënda të sëmundjes dhe vdekjen”, u shpreh Monaliza Mehmeti, Mjeke në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë.

Mbi 105 mijë vaksina anti-kovid deri më tani janë dhënë në rajonin e Kumanovës, thonë autoritetet.

“Qëllimi i këtij karavani është që sa më shpejtë popullata të vaksinohet që është mënyra e vetme për të tejkaluar këtë pandemi. Gjithashtu iu bëjmë thirrje qytetarëve që të vijnë të vaksinohen përveç punktit që sot është i hapur në shesh, nga nesër, të hënën e tutje vazhdojmë me dy turne nga 7 mëngjes deri 7 mbrëmje te Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë”, tha Valdrin Miftari, Koordinator i Pikës së Vaksinimit në Kumanovë.

Por nga kjo fushatë qytetarë nuk kanë treguar aq interesim. Dje në hyrje të Qendrës Tregtare në Shkup u vaksinuan vetëm 14 qytetarë. Dhjetëra imunizime ka pasur edhe në lokacionet e tjera gjatë gjithë javës, thonë autoritetet. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button