Intervenimi në rezerva, për çmime më të ulëta

Intervenimi në rezerva, për çmime më të ulëta

GAZETAR: ILE PETREVSKI

Për një ulje më të ndjeshme të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, është e nevojshme që shteti të ndërhyjë me mallra rezervë. Ky është qëndrimi i Lidhjes së Odave Ekonomike, pasi qeveria vendosi t’u japë prodhuesve ushqimorë energji elektrike më të lirë. Nga LOE për Alsat thonë se lëndët e para që nevojiten për produktin final kryesisht blihen në bursë. Dhe të dhënat e tyre janë se qysh para luftës në Ukrainë, çmimet e tyre janë rritur gati 100 për qind, shkruan Alsat.

“Të aktivizohen rezervat e mallrave duke injektuar sasi të përshtatshme, më të madhe të grurit. Nëse na ndahen 30 apo 40 mijë tonelata grurë nga shteti me çmim më të ulët, edhe atëherë mund të ketë ndikim në çmim. Është hapi i radhës që mund të ndikojë në uljen e mëtejshme të çmimeve të produkteve”.

Prodhuesit janë të bindur që me ndihmën e rezervave të mallrave do të ndikohet drejtpërdrejt në çmimin e lëndëve të para dhe në këtë mënyrë do të hapet mundësia për ulje serioze të shpenzimeve për furnizim të ushqimit. LOE thotë se këtë e kanë kërkuar disa herë nga qeveria, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje. Alsat u përpoq të marrë sqarime në çfarë rasti shfrytëzohen rezervat e mallrave të shtetit, a është tani momenti i duhur apo presim që të thellohet kriza dhe më pas të reagojmë.

“Në rezervat e mallrave ka sasi të mjaftueshme që të intervenohet në rastet që parashikohen me ligj, ndërsa intervenimi në industrinë e mullinjve dhe furrave nuk do të kishte efekt në plan afatgjatë” , thone nga Ministria e Financave.

Ndërkohë, qytetarët që anketuam thonë se disa nga produktet që kanë blerë rregullisht, këtë vit janë luks për ta.

Anketë qytetare

“Epo djathi, mishi, kaçkavalli, produktet e qumështit janë luks tani”.

Anketa e qytetarë

“Çmimet në raport me pensionet janë rritur shumë, por mendoj se edhe kjo është reflektim i tregut.”

Anketë qytetare

“Ne me dy pensione nuk mund ta mbushim shportën”.

Që situata të jetë më e qartë për atë se si jetojnë qytetarët, janë të dhënat për shportën minimale të konsumit, e cila për një familje katër anëtarësh në shtator i ka kaluar 50 mijë denarë. Me këto para mund të blihen vetëm produkte ushqimore bazë për muajin, mund të paguhen faturat, më pak se një e treta mbesin për transportin, blerjen e disa veshjeve dhe një pjesë minimale për shërbimet shëndetësore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button