Irani, luftë Shqipërisë/ Sulmi bllokon sistemin TIMS

Irani, luftë Shqipërisë/ Sulmi bllokon sistemin TIMS

Irani sulmon sërish Shqipërinë. Pas sulmit të 15 korrikut, autoritet shqiptare njoftojnë se hakerat e sponsorizuar nga Irani kanë vënë në shënjestër sistemin TIMS që shërben për regjistrimin e hyrje daljeve në pikat kufitare. Si pasojë e sulmit është bllokuar puna e pikave kufitare të Kakavijës, Kapshticës, Qafë Botës, Qafë Thanës, Portit të Durrësit dhe Portit të Vlorës. Sistemi TIMS është fikur menjëherë për të penguar avancimin e hakerave në marrjen nën kontroll të këtij sistemi, më i rëndësishmi për policinë shqiptare. Policët po punojnë manualisht, gjë që ka shkaktuar kaos dhe pritje të gjata në dogana dhe porte.
Sipas kryeministrit shqiptar Edi Rama, ky sulm i ri kibernetik vjen nga të njëjtët agresorë.

“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, deklaroi Rama.

Sulmi i radhës kibernetik, me qëllim paralizimin e punës të policisë në pikat kufitare shqiptare ndodhi vetëm pak orë pasi Departamenti i Thesarit Amerikan shpalli sanksione ndaj Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë iraniane dhe ministrit të saj, me akuzën se ata janë përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë. Sanksionet përfshijnë bllokimin e pronave të zyrtarëve dhe ministrive të mbajtura përgjegjëse. Në deklaratën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit thuhet se ata janë gjithashtu përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve që supozohej se ishin nga qeveria shqiptare dhe informacioneve personale të lidhura me banorët shqiptarë.
Shqipëria ndërpreu lidhjet diplomatike me Iranin më 7 shtator, duke thënë se hetimet kanë treguar se sulmet kibernetike të muajit korrik janë kryer nga Irani si “agresor shtetëror”.

Irani hodhi poshtë akuzat se qëndron pas sulmeve kibernetike. Megjithatë NATO konfirmoi se prapa atij sulmi ka qenë Irani.

 

LEXO EDHE:

Back to top button