Kundërofensiva e Ukrainës po përparon në lindje

Kundërofensiva e Ukrainës po përparon në lindje

Gazetar: Luka Andreev

Ushtria ukrainase po përparon në kundërsulmin e saj në lindje të vendit, duke çliruar pjesë të territoreve të pushtuara. Ushtarët në një pjesë të madhe të vendbanimeve në zonën e Harkivit priten si çlirimtarë, dhe banorët tregojnë për muajt e kaluar nën pushtimin rus.

“Kemi katër muaj që jemi këtu. Në fillim jetuam në banesë, derisa ndërtesa u bombardua. Pastaj ne u zhvendosëm këtu poshtë në bodrume”, tha Oleg Lucaj – banues në Grakovo.

Ajo që autoritetet ukrainase po hasin në fshatrat dhe qytetet e çliruara, janë dëshmi të reja të viktimave civile dhe krimeve të mundshme të luftës të kryera nga ushtria ruse.

“Personat kanë plagë me armë zjarri në pjesën e pasme të kokës. Banorët varrosën bashkëqytetarët e tyre, e shënuan këtë vend, që kur të kthehet policia, pas deokupimit, të na informojë për ngjarjen”, deklaroi Sergej Bolvinov – kreu i hetuesve për rajonin e Harkiv.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se kundërsulmi në lindje vazhdon me ritëm të shtuar.

“Në këtë kohë, forcat e armatosura të Ukrainës çliruan dhe morën nën kontroll më shumë se 30 vendbanime në rajonin e Harkiv. Në disa nga fshatrat e rajonit po vazhdojnë masat për kontrollin dhe sigurimin e territorit, ndërkohë që gradualisht po marrim kontrollin e vendbanimeve të tjera – po e kthejmë flamurin ukrainas kudo dhe po mbrojmë të gjithë njerëzit tanë”, u shpreh Vollodimir Zelenski- Presidenti i Ukrainës.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi video të autokolonave të mjeteve luftarake dhe helikopterëve në drejtim të Harkivit, me qëllim rimarrjen e kësaj zone.
Nga ana tjetër, Uashingtoni ka paralajmëruar ndihmë të re ushtarake për forcat ukrainase, pasi siç thonë ata, fuqia e armëve amerikane shihet në terren.

“Qëllimi ynë është të mbështesim ukrainasit për të mbrojtur territorin e tyre dhe për t’i vënë ata në pozicionin më të fortë të mundshëm, për të ruajtur dhe rivendosur në disa pjesë, sovranitetin e tyre.” Dhe atëherë, e dini, do të duhet të zgjidhni nëse do të uleni në tryezën e bisedimeve, ku do të ishit në pozicionin më të fortë të mundshëm”, shtoi Sasha Beker – Zëvendës Sekretar i Mbrojtjes i SHBA-ve.

Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se agresioni rus në Ukrainë po hyn në një fazë kritike. Sipas tij, forcat ukrainase arritën të ndalojnë ofensivën e Moskës, të rimarrin territorin e tyre, prandaj bën thirrje që solidariteti i perëndimit të mos dorëzohet tani./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button