Irlanda e Çekia votojnë për Parlamentin Evropian
Irlanda e Çekia votojnë për Parlamentin Evropian

Qendrat e votimit për zgjedhjet e Parlamentit Evropian u hapën të premten në Republikën Çeke dhe në Irlandë, në ditën e dytë të këtij procesi. Përgjatë katër ditëve, sa zgjasin këto zgjedhje, do të mund të votojnë 360 milionë shtetas të 27 vendeve anëtare të bllokut evropian. Në Irlandë, partia opozitare, Sinn Fein synon t’i shfrytëzojë këto zgjedhje për të rritur mbështetjen para zgjedhjeve kombëtare që pritet të mbahen në vitin e ardhshëm. Irlanda i ka 14 ulëse të rezervuara në Parlamentin Evropian. Opinioni në këtë shtet është i shqetësuar për rritjen e numrit të azilkërkuesve, prandaj edhe është rritur numri i kandidatëve të pavarur që kanë dalë me premtimet për politika më të ashpra të imigrimit. Në Republikën Çeke, zgjedhjet do të mbahen edhe të shtunën. Ky shtet i ka 21 ulëse të rezervuara në Parlamentin Evropian. Partia opozitare ANO, pritet t’iu afrohet shifrave të partive që janë aktualisht në pushtet, sipas agjencisë çeke të sondazheve, STEM. /Alsat.mk