Ish fabrika e plastikës, punëtorët kërkojnë pagat

Ish fabrika e plastikës, punëtorët kërkojnë pagat

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Mos pagesa e rreth 30 rrogave, si dhe kontributeve 16 vite pas mbylljes së fabrikës për plastikën mjekësore në Tetovë, ka detyruar punëtorët që të dalin në protestë për të shprehur pakënaqësinë e tyre. 500 punëtorë, pas falimentimit të fabrikës, nuk kanë kthyer as aksionet e tyre, të cilat, dikur ishin të detyruar që t`i blejnë. Marrëveshje jashtë gjyqësore kanë bërë disa herë me drejtorët falimentues, por rezultati është zero, thonë punëtorët.

“Endemi nëpër gjyqe nëpër avokatë tash e 16 vite pas mbylljes së fabrikës. Erdhëm këtu jo për protestë, por për ta shprehur revoltën dhe kërkesat tona që janë, 30 rrogat e mbetura dhe aksionet e blera nga paratë tona, si dhe pesë vite mos pagesë e kontributeve. Tani kemi të dhëna që firma është shitur, andaj ne kërkojmë që të na mundësojnë realizimin e të drejtës tonë sepse nuk jemi raste sociale që të kërkojmë ndihmë sociale”, deklaroi Verica Ivanovska ish punëtore e fabrikës.

“Na detyruan të nënshkruajmë marrëveshje jashtë gjyqësore me detyrim që pas tre vitesh të na kthehen paratë, që të gjithëve rreth dyqind mijë e më lartë. Privatizimi nisi ashtu si nisi, por një gjë ka, 730 000 euro dhanë të punësuarit për këtë privatizim, të gjithën morën pjesën e vet vetëm ne të punësuarit jo, edhe pse ne ishim të besuarit më të mëdhenj dhe fabrika duhej të jetë e jona”, deklaroi Mihajllo Iliç ish punëtor i fabrikës.

Pas procedurës së likuidimit të fabrikës borxhlinjve u është dhënë edhe toka me rreth 80 000 metër katror që nuk ka të bëj me privatizimin, thonë punëtorët.

“Këtu ka dy momente, e para privatizimi në mënyrë kriminale si është bërë, pastaj është shitur toka që nuk ka prejardhje toka se ka qenë e shtetit dhe nuk ka qenë pronë apo lëndë për privatizim, por këta edhe tokën e hodhën mbi vete. Momenti tjetër është se këtu ka edhe aksione që s’janë mbi askënd por janë pezull dhe i ka marrë agjencinë për privatizim dhe tash flenë në Ministrinë e Financave. Këta i përvetësuan asokohe, dhe u bënë qind për qind aksionarë dominant”, tha Musli Izairi, sh punëtor i fabrikës.

Punëtorët kanë kërkuar ndihmë edhe nga presidenti i shtetit dhe kryeministri, ndërsa thonë se protestat do të vazhdojnë çdo ditë nëse nuk gjendet zgjidhje. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button