Ish sulmuesi i Ajaksit, 6 vjet burg për trafikim të drogës

Ish-sulmuesi i Ajaksit dhe kombëtares së Holandës, Kunsi Promes është dënuar me 6 vite heqje lirie, me akuzat për trafikim droge. Futbollisti 32-vjeçar, i cili aktualisht është pjesë e Spartakut të Moskës në Rusi, ka mohuar akuzat dhe ka thënë se do të apelojë vendimin.

Sipas mediave, prokuroria e Amsterdamit kishte mbledhur prova të mjaftueshme që konfirmojnë përfshirjen e sulmuesit holandez në trafikimin e më shumë se një ton kokaine nga porti belg i Antuerpit. Prokuroria kërkoi 9 vite burg, ndërsa Gjykata vendosi ta dënojë me 6 vite sulmuesin Promes, i cili gjithsesi mund të vazhdojë i qetë karrierën e tij në kampionatin rus me Spartakun e Moskës.

Kjo pasi mes Holandës dhe Rusisë nuk ka një marrëveshje ekstradimi dhe për më tepër, vetë Promes ka nisur edhe procedurat për t’u pajisur me pasaportë ruse. I lindur në Amsterdam, Promes shkëlqeu te të rinjtë e Tuentes, ku edhe bëri debutimin në futbollin profesionist, para se të transferohej te Spartaku i Moskës në periudhën 2014-2018. Më pas u transferua te Sevilja, Ajaksi dhe sërish te Spartaku i Moskës, në verën e 2021-shit.

Kuinsi Promes numëron 50 ndeshje me fanellën e Holandës dhe 7 gola të shënuar në periudhën 2014-2021, pasi që atëherë nuk është grumbulluar më.

LEXO EDHE:

Back to top button