Itali, Mattarella përpjekje për zgjidhjen e ngërçit politik

Në përpjekjet e fundit për të provuar që të zgjidhë ngërçin politik të Italisë, udhëheqësi i kombit i kërkoi kryetarit të Dhomës së Ulët të shqyrtojë mundësinë për të ringjallur koalicionin qeverisës të rrëzuar, duke ndërmjetësuar midis palëve në konflikt.

Në përpjekjet e fundit për zgjidhjen e ngërçit politik të Italisë, presidenti italian, Sergio Mattarella i kërkoi kryetarit të Dhomës së Ulët të shqyrtojë mundësinë për të ringjallur koalicionin qeverisës të rrëzuar, duke ndërmjetësuar midis palëve në konflikt.

Pas tri ditësh konsultimesh me udhëheqësit e partive italiane, presidenti Sergio Mattarella dërgoi Roberto Fico-n të premten për të verifikuar nëse ka shans për arritjen e shumicës parlamentare të mjaftueshme për të mbështetur qeverinë e re të koalicionit.

“Është e nevojshme të krijojmë një qeveri sa më shpejt të jetë e mundur, me mbështetje të përshtatshme parlamentare”, u tha Mattarella gazetarëve në Pallatin Quirinale, duke theksuar se Italia po përballet me një emergjencë të trefishtë, duke kaluar një krizë shëndetësore, sociale dhe ekonomike.

Italia u zhyt në një krizë të papritur qeveritare në fillim të këtij muaji pasi ish-kryeministri Matteo Renzi tërhoqi partinë e tij të vogël Italia Viva nga koalicioni qeverisës, duke e hequr atë nga shumica tashmë e brishtë në Senat.

Kjo e detyroi kryeministrin Giuseppe Conte të jepte dorëheqjen, duke shkaktuar zyrtarisht një krizë politike.

Renzi është përplasur vazhdimisht me Conten për trajtimin e tij të pandemisë COVID-19 dhe politikat e tij ekonomike, duke sulmuar planet e kryeministrit lidhur me shpenzimin e më shumë se 200 miliardë euro të parashikuara nga BE-ja për mbështetjen e ekonomisë së dëmtuar të Italisë.

Pas ndarjes së shumicës së tij me daljen e Renzi-t, Conte u përpoq që t’u afrohet deputetëve të pavarur dhe të opozitës për të zëvendësuar senatorët e Italia Viva-s, por nuk ia doli dhe u detyrua të tërhiqej për të shmangur një disfatë në parlament.

Tani, nëse Conte dëshiron të marrë mandatin e tretë për formimin e qeverisë së re, ai duhet të kërkoj përsëri ndihmën e Renzit, gjë që e bën misionin e tij pothuajse të pamundur.

Renzi, nga ana e tij, kurrë nuk ka përjashtuar një marrëveshje të mundshme me ish-partnerët e tij të koalicionit, i cili do të përfshinte Lëvizjen populiste Pesë Yje. Kjo e fundit, pasi fillimisht bëri të qartë se nuk dëshironte të ketë asgjë me Renzi-n përsëri, në një hap të befasishëm të premten la derën hapur për një aleancë të mundshme, përfshirë Italia Viva-n.

Rikthimi, megjithatë, rrezikon përçarjen e lëvizjes, me një ndarje të thellë për një marrëveshje të mundshme me ish-kryeministrin, të cilin e ka quajtur “të papërgjegjshëm” për shkak të krizës.

Shanset reale të Contes për të fituar mandatin e tretë mbeten shumë të vogla, në vazhdën e kundërshtimit të Renzi-t dhe ashpërsisë personale midis të dyve.

LEXO EDHE:

Back to top button