Italia regjistron rreth 24 mijë raste të reja me Covid-19, disa masa vazhdohen deri me 30 prill

Kurba e epidemisë së COVID-19 në Itali mbetet e qëndrueshme me një numër shumë të lartë të rasteve dhe vdekjeve.
Në 24 orët e fundit, të dhënat e fundit nga Ministria italiane e Shëndetësisë konfirmuan 23 987 raste pozitive (dje ishin 23 696) dhe 457 viktima (460 dje).
Shkalla e pozitivitetit mbetet në rreth 6,8%, ashtu si edhe një ditë më parë.
Aktualisht, janë 3 628 pacientë të pranuar në kujdes intensiv, tetë më shumë se dje në bilancin ditor midis hyrjeve dhe daljeve, ndërsa hyrjet ditore në kujdesin intensiv janë 288 (dje ishin 260).
Nga ana tjetër, 28 472 pacientë janë të shtruar në pavijone të zakonshme, një rritje prej 48 njësish, e krahasuar me dje.
Rastet totale, që nga fillimi i epidemisë, janë 3 488 619, ndërsa vdekjet 107 256.
Sërish Lombardia mbetet në krye të renditjes së rajoneve më të goditura nga COVID-19, me 5077 raste, e ndjekur sot nga Emilja Romanja, Pulia dhe Veneto.
Ndërkohë qeveria ka vendosur që deri më 30 prill masat nuk do të lejojnë hapjen e restoranteve, bareve, kinemave dhe teatrove, ndërkohë që për shkollat fillore është vendosur që ato do të rifillojnë aktivitetin edhe në zonat “e kuqe”, që nga dita e sotme janë Friuli, Piemonte, Emilja-Romanja, Lombardia, Pulia, Valle d’Aosta, Marke, Trento, Veneto, të cilëve iu shtuan Toskana dhe Kalabria.