Itinerari i Ballkanit: “Pushbacks” përmes Frontex-it?

Siriani Ali al-Ebrahim është 22 vjeç. Në vitin 2018 ai iku për shkak të luftës në Mandbixh, një qytet në afërsi të Alepos, që atëherë kontrollohej nga kurdët, sepse donin ta detyronin të merrte pjesë në luftë. Fillimisht u përpoq të zinte një vend në Turqi. Kur erdhi në Antakya, qyteti i parë në afërsi të kufirit sirian, autoritetet turke e regjistruan, por pastaj pa shpjegim e kthyen në Siri, rrëfen ai me një anglishte të pastër. Një nga pasojat është, se nuk i lejohet më hyrja legale për 5 vjet në Turqi. Megjithatë ai u përpoq sërish, kësaj here me objektiv Greqinë. Me gomone ai arriti në ishullin grek, Leros dhe aplikoi për azil, që iu refuzua me arsyen se Turqia është një vend i tretë i sigurtë. Por Ali al-Ibrahimi nuk shkoi në Turqi, as në Siri, e kjo për autoritetet greke nuk ka rëndësi. “Kryeministri i ri grek, Kyriakos Mitsotaiks është shumë i rreptë, kur vjen puna tek migrantët. Prandaj vendosa të shkoj në Shqipëri”, thotë ai.

Refugjati rrëfen, se bashkë me pesë vetë të tjerë në shtator 2020 udhëtoi me autobus për në Janinë. Nga atje grupi mbërriti me këmbë në kufirin shqiptar. Policinë greke nuk e pamë, thotë Aliu. Por në Shqipëri ata u ndalën nga Frontex-i. I pyetur, se nga e kuptoi që ishin nëpunës të Frontex-it, al-Ibrahimi thotë. “I kam dalluar në shiritin që mbanin në krahë.” Nëpunësit e Frontex mbajnë një shirit blu me flamurin europian.

Për 5000 euro në Austri

Ail al-Ibrahimi rrëfen, se ai dhe migrantë të tjerë kishin pyetur për azil tek autoritetet shqiptare, por iu ishte thënë, se për shkak të pandemisë së Coronës nuk mund të fillohej një procedurë e re azili. Pas kësaj i nisën në Greqi, pa i vënë në dijeni autoritetet greke, thonë refugjatët. Në tentativën e dytë për të udhëtuar në Shqipëri, siriani pati më shumë fat. Përmes Tiranës, ai kaloi në Kosovë, pastaj në Serbi, në kampin Sombor pranë kufirit hungarez, raporton ai në bisedë me Deutsche Wellen. Nga aty ai dëshiron të hyjë në Austri, por trafikantët janë shumë të shtrenjtë: 5000 euro duhet të paguash që të hysh në territorin austriak, sipas tij.

Shiko videon01:33

Dëbimet ilegale – Përditshmëri në Ballkan

Arrest në vend të azilit

Britanikja Hope Barker i njeh raportime të tilla. Ajo koordinon projektin “Wave Thessaloniki” në metropolin verior grek Selanik, ku migrantët përgjatë itinerarit të Ballkanit gjejnë ushqim, kujdes mjekësor dhe këshillim ligjor. Selaniku ka qenë për një kohë të gjatë një strehë e sigurtë, thotë Barker për DW, por në vitin 2019 erdhi në fuqi qeveria konservatore. Në janar 2020 hyri në fuqi ligji që e ashpërsoi qëndrimin ndaj migrantëve. “Në vend që t’u jepnin dokumente azilkërkuesve, ata tani mund të qëndrojnë në gjendje arresti për 18 muaj, pa u marrë në shqyrtim rasti.” Ky arrest mund të zgjatet edhe 18 muaj të tjerë.

Pushbacks nga punonjësit e Frontex?

Jo vetëm drejt e në kufi ka pasur kthime ilegale -të ashtuquajturat “pushbacks”, por edhe në brendësi të vendit, thotë Barker. Nga frika tani migrantët i mënjanojnë autoritetet greke. Ndihmësit e refugjatëve vënë re se ka “shumë kthime ilegale” të migrantëve edhe në kufijtë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë janë shtuar të dhënat, për një pjesëmarrje të punonjësve të Frontex-it. “Ne kemi raportime dëshmitarësh, ku njerëzit tonë, se punonjësit kanë folur gjermanisht, dhe se kanë në krah një shirit me flaumrin e BE”, thotë Hope Barker.

Frontex nuk i pranon akuzat

Për shkak të situatës së koklavitur në kufijtë grekë, është shumë e vështirë të vërtetosh kthimet ilegale të migrantëve. “Ne e dimë që Frontex është aktiv në Shqipëri”, thotë Barker. “Ne e dimë që ata janë në Evros (lumi në kufirin grek, ose kufirin bullgaro-turk) dhe e dimë që ka përditë pushbacks. Të mendosh, se ata nuk dinë asgjë për këtë dhe nuk janë pjesëmarrës është e pabesueshme.”

Deutsche Welle kontaktoi zëdhënësin e Agjencisë për Mbrojtjen e Kufijve të BE, Frontex dhe mori këtë përgjigje: “Frontex i ka verifikuar disa nga akuzat dhe nuk ka gjetur prova të besueshme, që i mbështesin ato.” Në të njëjtën kohë jemi “të vendosur të respektojmë standardet më të larta në kontrollet kufitare në kuadër të misioneve tona”.\DW

LEXO EDHE:

Back to top button