Izraeli dhe palestinezët zotohen për ulje të dhunës

Izraeli dhe palestinezët zotohen për ulje të dhunës

Qeveria izraelite dhe Autoriteti Palestinez kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët për marrjen e hapave që çojnë në ulje të dhunës.

Kjo deklaratë është lëshuar të dielën, pas bisedimeve të rralla mes dy palëve, që janë zhvilluar në Jordani, në të cilat kanë marrë pjesë edhe zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti.

Në takim është arritur pajtueshmëri për të bërë hapa drejt rritjes së besimit dhe për të punuar drejt “paqes afatgjatë”.

Në kohën e nisjes së bisedimeve, një sulmues palestinez ka qëlluar për vdekje dy izraelitë në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Ushtria izraelite ka thënë më vonë se do të shtojë dy batalione shtesë për rritje të sigurisë.

Si përgjigje, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se administrata e tij “do të vazhdojë të bëjë gjithçka për të luftuar terroristët dhe për të ruajtur sigurinë e Izraelit”.

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, ka thënë se ka mirëpritur zotimet e bëra nga të dyja palët, duke shtuar se duhet bërë më shumë punë në muajt në vazhdim “për të ndërtuar një të ardhme stabile për izraelitët dhe palestinezët”.

Grupi militant palestinez, Hamas, i cili kontrollon Rripin e Gazës, e ka dënuar Autoritetin Palestinez për pjesëmarrje në ato që i ka konsideruar bisedime “që nuk kanë vlerë”.

Prej fillimit të këtij viti, më shumë se 60 palestinezë – militantë dhe civilë – janë vrarë nga forcat izraelite, ndërsa në anën izraelite është raportuar për 13 të vrarë.

Tensionet janë rritur së fundi pas dy bastisjeve ushtarake izraelite – në kampin Jenin të refugjatëve dhe në qytetin e vjetër Nablus – në të cilat janë vrarë 21 palestinezë, duke shënuar operacionin për të përgjakshëm të këtij lloji, prej vitit 2005.

Në të dyja rastet, ushtria izraelite ka thënë se synimi i saj ka qenë që të arrestojë burrat e kërkuar që, ose kanë kryer sulme, ose kanë qenë duke i planifikuar ato.

Ekzistojnë shqetësime për tensione të mëtutjeshme, pasi në javët në vazhdim Muaji i shenjtë i Ramazanit do të shënohet në kohën e njëjtë me Pashkën Hebreje. /REL

LEXO EDHE:

Back to top button