Izraeli ka goditur me raketa një spital në veri të Gazës, duke i detyruar pacientët të evakuohen
Izraeli ka goditur me raketa një spital në veri të Gazës, duke i detyruar pacientët të evakuohen

Izraeli e ka goditur me raketa një spital në veri të Gazës, duke i detyruar pacientët të evakuohen. Sulmi ndaj Spitalit Al-Ahli në qytetin e Gazës u krye para agimit, pasi Izraeli kishte lëshuar një paralajmërim për evakuim, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi. Një pacient vdiq gjatë evakuimit, pasi stafi mjekësor nuk arriti t’i jepte kujdes të menjëhershëm mjekësor, sipas Ministrisë. Izraeli tha se e ka goditur një qendër komande dhe kontrolli në këtë spital, e cila përdoret nga Hamasi për të planifikuar dhe ekzekutuar sulme kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë. Disa orë më vonë, një sulm i tjetër ndaj një veture në Gazën qendrore, vrau të paktën shtatë njerëz. Sulmet ndodhën disa orë pasi ministri i Mbrojtjes i Izraelit deklaroi se aktivitetet ushtarake do të zgjerohen me shpejtësi në të gjithë Gazën dhe se njerëzit do të duhet të evakuohen nga “zonat e luftës”.
“E dënojmë këtë krim të kryer nga ushtria okupatore izraelite, e cila synoi spitalin e vetëm që funksionon tani. Kërkesa jonë ka qenë gjithmonë mbrojtja e punonjësve shëndetësorë, mbrojtja e të lënduarve. Teksa po evakuonim të plagosurit, njëri prej tyre vdiq. Skena ishte e frikshme. I evakuuam të plagosurit në shtretërit e tyre spitalor në rrugë,” deklaroi Muner al Bursh, Drejtor i përgjithshëm.
“Ishte shumë e frikshme për pacientët brenda. Ne mund të ishim vrarë në çdo moment brenda kësaj godine, në çdo moment. Nuk e dinim se çfarë ndodhi. Ne u habitëm që kjo ndërtesë u shkatërrua, siç e shihni shkatërrimin brenda spitalit. Asgjë nuk ka mbetur e sigurt brenda spitalit apo në të gjithë Gazën,” u shpreh Muhamed Ebu Naser, i plagosur. /alsat.mk