Izraeli ka sinjalizuar se ofensiva tokësore do të synojë së shpejti qytetin e Rafahut

Izraeli ka sinjalizuar se ofensiva tokësore do të synojë së shpejti qytetin e Rafahut

Gazetare: Xhesika Sallahi

Izraeli ka sinjalizuar se ofensiva tokësore do të synojë së shpejti qytetin e Rafahut, i cili shërben si pikë kryesore e hyrjes për ndihmën humanitare. Ky sinjal i Izraelit ka shkaktuar reagime të shumta tek ndërkombëtarët. Ministrja e Jashtme gjermane, Ana Baerbok, bën thirrje për korridore të sigurta për civilët, ndërsa ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se plani i Izraelit nuk do të kontribuojë në stabilizimin e situatës.

“E drejta për vetëmbrojtje zbatohet dhe çdo vend, si Izraeli, ka të drejtë të mbrohet kundër terrorizmit. Por ajo nuk përfshin dëbimin. Është përgjegjësi e ushtrisë izraelite, të krijojë korridore të sigurta për njerëzit që kanë kërkuar mbrojtje”, tha Baerbok.

“Duke marrë parasysh qëndrimin e pa kompromis të udhëheqjes izraelite, ndaj vazhdimit të veprimit ushtarak në Gaza, duke e shtrirë tani atë në Rafah, ne nuk shohim perspektiva për stabilizimin e shpejtë të situatës”, tha Lavrov.

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Ahmed Aboul Gheit, paralajmëroi se tensionet në Lindjen e Mesme do të “ndizen në një mënyrë të pashembullt” nëse Shtetet e Bashkuara nuk e ndalojnë Izraelin.

“Izraelitët duhet të arsyetojnë dhe të tërhiqen nga këto politika. Unë besoj se është e nevojshme dhe jetike që Shtetet e Bashkuara të urdhërojnë Izraelin të ndalojë këto politika, përndryshe Lindja e Mesme do të ndizet në një mënyrë të pashembullt”, u shpreh Gheit.

Ofensiva e Izraelit ka vrarë më shumë se 28,000 palestinezë ka zhvendosur mbi 80% të popullsisë dhe ka shkaktuar një krizë humanitare masive. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, më shumë se 12,300 fëmijë dhe rreth 8400 gra janë vrarë në konflikt./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button