Ja kur pritet të përfundojë ndërtimi i shkollës në Vizbeg
Ja kur pritet të përfundojë ndërtimi i shkollës në Vizbeg
Gazetare: Melihate Rustemi
Fëmijët e lagjes Vizbeg në Shkup me padurim po presin ndërtimin e objektit të ri shkollor, punimet për të cilën kanë nisur në muajin janar të këtij viti.
Në momentin që ekipi i Tv Alsat filmoi realizimin e punimeve ndërtimore, një grup fëmijësh nga afër po shihnin punët e realizuara tashmë.
Ata thuajse çdo ditë janë mysafirë të punëtorëve në shkollën ku po ndërtohet për të kuptuar se deri ku kanë mbërritur punimet ndërtimore.
“Tash që e kemi shkollën me afër do ta kem më mirë, më lehtë do të vijmë në shkollë. Po vijmë çdo ditë dhe po i shohim mjeshtrit tu punu. Po gëzohemi që po ndërtohet shkolla”, tha një nxënës.
“Unë tash do të dal në klasë të pestë por shpresoj që kur të dal klasa e gjashtë do të mësoj te shkolla e re. Çdo ditë vijmë me shokët dhe e shohim sa është ndërtuar shkolla”, u shpreh një nxënës tjetër.
Selajdin Behadini, përgjegjës për instalimin e rrymës në këtë objekt të ri shkollor tha se punimet po realizohen sipas planit të paraparë. Ai është optimist se shkolla do të jetë gati brenda afatit të paraparë për ndërtim.
“Për momentin nuk ka ndërprerje dhe punimet zhvillohen në mënyrë normale.
Jemi shumë optimist se do të përfundon brenda afatit që është paraparë të zhvillohet ky objekt. Nuk ka lëvizje prej projektit, asnjë milimetër, flas gjithnjë si kompetent për instalimin e rrymës, çdo gjë është e përcaktuar me projekt nga kompania e cila ka bë projektimin dhe besoj se brenda periudhës së caktuar, dinamikën të cilën e ka përcaktuar Ministria e Arsimit besoj se do të kryhet”, tha Selajdin Behadini, inxhinier elektroteknikës.
Objekti i ri shkollor në Vizbeg pritet të lëshohet në përdorim për vitin shkollor 2023-24 ndërsa në të janë paraparë të mësojnë 500 nxënës në 17 paralele.
Për shkak të mungesës së shkollës fillore në Vizbeg, mbi 1400 nxënës të kësaj lagjeje janë të detyruar të mësojnë në shkolla të ndryshme të tre komunave të Shkupit, Butel, Çair dhe Shuto Orizarë.
Për të mbërritur në këto të fundit, nxënësit bëjnë rrugë në këmbë mbi 3 kilometra./ Alsat.mk








