Ja sa fluturime janë anuluara gjatë këtij muaji në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit

Ja sa fluturime janë anuluara gjatë këtij muaji në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit

Gazetar: Adnan Qaili

Radhë të gjata të pritjeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Turma të udhëtarëve dynden në sportelet duke pritur për të dorëzuar valixhet, shkruan Alsat.

Disa ankohen për mos organizim të punës së personelit, disa të tjerë thonë se ka edhe më keq, anulim të fluturimeve. Sezoni verës ka mbingarkuar fluturimet.

“Jam nga Shtipi, jetoj në Amerikë. Doja të udhëtoja për Çikago përmes Vienës, por fluturimi u vonua në mëngjes dhe pasi bëra check-in më thanë fillimisht që është anuluar fluturimi, pastaj zbrita në sportel dhe pritëm afër 4 orë poshtë. U desh të kthehemi se na thanë se nuk ka vend, madje deri më 7 gusht”, tha një qytetar.

“Jo nuk na duket në rregull se tani në fund e hapën një rend, po na bie shumë të presim na vonojnë edhe aeroplanin, na vjen keq që presim kështu gjithë. Shumë keq, njerëzit të hipin mbi kokë, disa të parakalojnë disa të shtynë edhe pse je me bebe nuk ju intereson, vërtetë keq”, tha një tjetër qytetar.

“Nuk është ne rregull hiç! Shumë ndryshe, vonojnë pa nevojë te kontrollimi i biletave, atje e ke në telefon dhe ecën këtu nuk ka rend askund”, theksoi një qytetar.

Sipas udhëtarëve, procedurat e deklarimit on-line të destinacioneve nga vendet e treta, siç konsiderohet Maqedonia, iu marrin më tepër kohë gjatë check-in’it për shtetet e Evropës, SHBA-së dhe Australisë.

Nga zyra për komunikim me media e aeroportit të Shkupit thonë se gjatë muajit korrik ka pasur fluks të shtuar të pasagjerëve. Operatori “TAV Makedonija” njofton se 37 fluturime janë anuluar në 2 aeroporte.

“Në periudhën nga 1 korriku deri më 25 korrik në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit janë realizuar gjithsej 1,572 fluturime dhe janë anuluar 30 fluturime. Nga ana tjetër, në Aeroportin e Ohrit, në të njëjtën periudhë kohore janë realizuar gjithsej 100 fluturime, ndërsa 7 fluturime janë anuluar”, thonë nga Kompania “TAV Makedonija”.

Në Aeroportin e Shkupit gjatë korrikut kanë arritur mbi 120 mijë udhëtarë, ndërsa mbi 85 mijë janë larguar.

Në Aeroportin e Ohrit kanë aderuar mbi 18 mijë pasagjerë, ndërsa janë larguar mbi 9.500 pasagjerë.

Sipas operatorit të aeroportit, nga marrja e informacioneve prej linjave ajrore, vonesat ose anulimet e fluturimeve, kryesisht ndodhin për arsye operative ose për shkak të kushteve të motit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button