Jam i mahnitur nga kjo skuadër, tani është favorite për ta fituar Ligën e Kampionëve

Ish-mbrojtësi i Man. Junajtedit dhe i kombëtares angleze, Rio Ferdinand, ka komentuar në “TNT Sports” fitoren mbresëlënëse 3-1 të PSZH-së ndaj Aston Villa, në sfidën e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Skuadra e Luis Enrikes, me protagonistë si Donarumma dhe Kvaratskhelia, la përshtypje të forta në këtë ndeshje, jo vetëm për golat.
“Kam mbetur i mahnitur nga golat që pamë dhe momentet e teknikës së shkëlqyer të lojtarëve të PSZH-së, por edhe më shumë nga aftësia e tyre për të rikuperuar topin dhe për ta mbajtur atë”, tha Ferdinand, i entuziazmuar nga balanca mes bukurisë dhe pragmatizmit në lojën e parizienëve.
“PSZH luajti me autoritetin e një skuadre që e ka fituar këtë turne disa herë, edhe pse nuk është kështu. Parizienët janë një skuadër që di si ta marrë maksimumin nga çdo lojtar dhe i dominon kundërshtarët, si në duelet një kundër një, ashtu edhe në lojën kolektive. Për mua, janë favoritët kryesorë për momentin, sidomos duke parë si i kanë menaxhuar ndeshjet ndaj Liverpool-it dhe si e dominuan këtë përballje ndaj Aston Villa,” tha Ferdinand.
Në prag të sfidës së kthimit, javën e ardhshme, Ferdinand theksoi se PSZH tani është “në pozitat e një favoriti absolut”, edhe pse nuk e sheh gjithçka të mbyllur.
“Aston Villa ka lojtarë që mund t’i vënë në vështirësi parizienët, po ashtu ka një trajner që e njeh mirë Europën dhe ka fituar trofe. Sidoqoftë, ky PSZH është ndryshe nga çdo version tjetër që kemi parë në këtë kompeticion,” tha në fund Rio Ferdinand