Janë shtuar kontrollet policore në rajonin e Pollogut kundër shitësve dhe përdoruesve të lëndëve narkotike

Janë shtuar kontrollet policore në rajonin e Pollogut kundër shitësve dhe përdoruesve të lëndëve narkotike

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Përderisa më parë në kronikë të zezë kishim njoftime për vjedhje rrahje prishje të qetësisë dhe rendit publik, së fundmi, kronika e zezë pothuajse në çdo të dytën informatë përmban arrestime të keqpërdoruesve të narkotikëve dhe dilerëve, apo shitësve të tyre.

Nga Sektori i Punëve të Brendshme thonë se për tre muaj, duke filluar nga një dhjetori e deri më sot, në pranga kanë rënë më shumë se dyzet persona nga të cilët shtatë të mitur.

“Nga një dhjetori e deri ditën e sotme janë konstatuar 37 vepra penale, të dënueshme sipas Nenit 215 të KP. Prej tyre 24 janë në rajonin e Tetovës dhe 13 janë në rajonin e Gostivarit. Këto vepra janë konstatuar ndaj 48 personave kryerës të veprave, nga të cilët 24 Tetovë dhe 13 në rajonin e Gostivarit. Kështu që ndaj tyre do iniciohen parashtresa përkatëse”, tha Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i SPB Tetovë.

Kjo situatë me përdorimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, kryesisht marijuhanë, më të rrezikuara janë shkollat, sidomos ato të mesme, por duke mos përjashtuar edhe shkollat fillore. Drejtorët e shkollave në Tetovë, me qëllim parandalimin e kësaj situate, kërkojnë kontrolle të shtuara të policisë.

“Pikërisht për këtë ishte edhe pyetja ime ndaj tyre, sepse jemi të informuar që ka inspektorë të pauniformuar që rinë nëpër oborret e shkollave por unë kërkova prej tyre dhe u pranua, që jo vetëm persona pa uniformë por për efekt të çështjes të kemi persona të uniformuar nëpër oborret e shkollave”, tha Jeton Kamberi, Drejtor i Gjimnazit të Tetovës.

“Ne kemi kërkuar si deri më tani, pra njëjtë sikurse që ka filluar tash e një vit e gjysmë të kontrolloj dhe ne kësi dukurish nuk kemi. Duhet të marrim masa për prevencion, si Sektor i Arsimit, drejtor dhe polici, dhe shkaku se funksionon kontrolli nuk kemi më dukuri sikurse përpara”, u shpreh Muzafer Livareka, Drejtor i shkollës tekstile.

Në mbledhjen e një dite më parë që pati Sektori i Punëve të Brendshme me drejtorët e shkollave të Tetovës dhe sektorin për arsim, është dakorduar që muajt në vazhdim të shtohen kontrollet jo vetëm nëpër shkolla, por edhe nëpër automjete të transportit dhe komunikacion. Vitit e shkuar te shkolla e mesme e mjekësisë, u kapën disa nxënës duke përdorur dhe shitur lëndë narkotikë./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button