Janev: Nuk heqim dorë nga interesat kombëtare

Fatlume Dervishi

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë filluar të kuptojnë pozitën dhe qëndrimin e Bullgarisë në raport me Maqedoninë e Veriut, deklaroi kryeministri bullgar Stefan Janev. Për median bullgare BNT, Janev tha se ekzekutivi paraprak nuk ka bërë mjaftueshëm për t’ua sqaruar kërkesat e Bullgarisë përfaqësuesve ndërkombëtar.
“Pozita e Bullgarisë nuk ka qenë e komunikuar mire te partnerët tanë në Bashkimin Evropian. Ne kemi bërë tani takime tani me përfaqësuesit evropian të cilët na thanë se ne tezën tuaj nuk e kemi dëgjuar më herët, tani i dëgjojmë, kemi filluar t’i kuptojmë por na duhet më shumë kohë për t’i kuptuar”, tha Stefan Janev, kryeministër i Bullgarisë.

Janev me këtë tha se pozita bullgare mbetet e pandryshuar edhe në të ardhmen.

“Nuk do të heqim dorë sepse bëhet fjalë për interesa nacionale bullgare, bëhet fjalë për parimet bazë të themelimit të Bashkimit Evropian e që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve të një shteti anëtar, kriteret e Kopenhagës dhe parimet mbi të cilat funksionin BE-ja”, u shpreh Stefan Janev, kryeministër i Bullgarisë.

Presidenti bullgar Rumen Radev nga ana tjetër, ka realizuar një bisedë telefonike me komisionerin për zgjerim Oliver Varheji në të cilën ka shprehur pritshmëritë që dialogu me Maqedoninë e Veriut të sjell rezultate konkrete. Në bisedën telefonike Radev ka theksuar që Sofja është e hapur për dialog, kanë vendosur kushte të qarta dhe presion përgjigje dhe veprime reale nga Maqedonia e Veriut.

Për samitin e ardhshëm të BE-së kanë mbetur edhe më pak se tre javë. Hapësira kohore për një marrëveshje eventuale mes Shkupit dhe Sofjes është shumë e ngushtë.

Presidenti francez Emanuel Makron njoftoi një angazhim më të madh të Francës dhe BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por për muajt e ardhshëm. Makron këtë koment e bëri nga Kroacia ku qëndroi në vizitë zyrtare.

“Ajo që do të bëjmë gjatë muajve të ardhshëm është që vërtetë do të përpiqemi për të bërë më shumë, me qëllim që ta stabilizojmë gjendjen mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Emanuel Makron, president i Francës.

Deri tani nuk ka paralajmërim për ndonjë takim politik të përfaqësuesve të të dy vendeve në këtë temë, i cili do të mbahej para samitit të BE-së. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button