Janevska paralajmëron rritje të pagave të mësimdhënësve dhe të buxhetit për shkencë

Janevska paralajmëron rritje të pagave të mësimdhënësve dhe të buxhetit për shkencë

Gazetare: Melihate Rrustemi

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska ka paralajmëruar se investimet në arsim dhe shkencë do të vazhdojnë edhe në vitin 2026. Në takimin e fundvitit me gazetarët Janevska tha se do të realizohen 166 projekte në infrastrukturë, do të ketë rritje të buxhetit për shkencën, si dhe rritje të pagave për mësuesit e arsimit fillor dhe të mesëm nga 7,5 deri në 10 për qind, që do të realizohet në muajin mars. Në vitin 2026 do të vazhdojë edhe futja graduale e mësimit njëturnësh, që deri më tani ka përfshirë 200 shkolla, si dhe do të nisë zbatimi etapë pas etape i dëftesës elektronike. Kur bëhet fjalë për ditarin e ri elektronik, ministrja e arsimit tha se tashmë janë kapërcyer të gjitha vështirësitë sepse pjesa dërmuese e mësimdhënësve kanë mësuar procesin e funksionimit.

Rritje të vazhdueshme ka edhe buxheti për shkencën. Kur bëhet fjalë për arsimin e lartë, ministrja tha se ligj i ri për arsimin e lartë pritet që deri në fund të vitit të vendoset për debat publik në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve. Krahas tij, do të procedohen edhe Ligji për cilësinë në arsimin e lartë dhe Ligji për veprimtari shkencore-hulumtuese. Ndër risitë kryesore janë kriteret më të rrepta për avancimin akademik dhe rizgjedhjen e profesorëve universitarë. Janevska kujtoi se për shkak të parregullsive dhe mosplotësimit të kushteve, deri tani janë mbyllur 14 institute, ndërsa kontrollet do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm. Ajo theksoi se mbyllja e fakulteteve është më e vështirë për shkak të paqartësive ligjore, problem që pritet të zgjidhet me ligjin e ri për arsimin e lart.

Ministrja paralajmëroi edhe softuer të ri për zbulimin e plagjiaturës, si dhe krijimin e një të ashtuquajturi “mur turpi”, ku do të publikohen punime joadekuate, duke theksuar se në disa universitete kalojnë mastere dhe doktoratura me nivel shumë të ulët.

Në takim u njoftua gjithashtu se është në fazë të avancuar zgjidhja për përfundimin e objekteve të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë (FINKI) dhe Fakultetit të Kulturës Fizike pranë Rektoratit të Shën Kirili dhe Metodi. Javën e ardhshme pritet të shpallet tender për riprojektim, ndërsa objektet do të kenë fasadë moderne dhe do të lidhen me një urë mes vete. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button