Jep dorëheqje sekretarja e arsimit në SHBA

Betsy DeVos, sekretarja e arsimit në administratën e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ka vendosur të japë dorëeheqje pas trazirave në Kongresin Amerikan që shkaktuan vdekjen e së paku katër personave.

Në letrën e saj të dorëheqjes dërguar presidentit Trump, DeVos thotë se ajo ka parë “mjaft” këtë javë kur mbështetësit e presidentit në largim u përleshën me policinë, sulmuan ndërtesën e Kongresit dhe detyruan anëtarët e Kongresit të evakuuohen pasi ata kishin filluar seancën për të vërtetuar zyrtarisht fitoren presidenciale të Joe Biden-it.

“Fëmijët e impresionuar po i shikojnë të gjitha këto dhe ata po mësojnë nga ne. Besoj se secili ka një detyrim moral të ushtrojë gjykim të mirë dhe të modelojë sjelljen që shpresojmë se do të imitojë”, shkroi DeVos në letrën e saj.

63-vjeçarja DeVos është emri i fundit në listën e gjatë të dorëheqjeve në administratën e presidentit Trump mes trazirave të fundit, që përfshin të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për Irlandën Veriore, Mick Mulvaney, i cili ishte ish-shef i stafit të Trump-it, si dhe sekretaren e transportit, Elaine Chao, që njoftuan dorëheqjen gjatë ditës së djeshme.

Të mërkurën dhanë dorëheqjen zv/këshilltari i sigurisë kombëtare, Matt Pottinger, shefja e stafit të zonjës së parë Melania Trump, Stephanie Grisham, zv/sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Matthews, si dhe sekretarja sociale e Shtëpisë së Bardhë, Rickie Niceta.

Sipas raportimeve, këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit amerikan, Robert O’Brien dhe zv/shefi i stafit të presidentit, Chris Liddell, po ashtu po konsiderojnë dorëheqjen.

Mes thirrjeve në rritje nga ligjvënësit demokratë, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dje tha se zv/presidenti në largim, Mike Pence, duhet të aktivizojë amendamentin e 25-të të të kushtetutës së SHBA-ve për të rrëzuar presidentin Trump.

LEXO EDHE:

Back to top button