Joe Biden, presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara

Rrjeti televiziv amerikan, CNN, ka shpallur kandidatin demokrat, Joe Biden, president të Shteteve të Bashkuara.

Mediat amerikane kanë thënë se Biden ka fituar në shtetin e Pensilvanisë, duke tejkaluar shifrën e 270 votave të Kolegjit Elektoral, që nevojiten për ta bërë atë presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.

Biden ka reaguar shpejt pas lajmit për fitore.

“Amerikë, jam i nderuar që më ke zgjedhur për të udhëhequr shtetin tonë fantastik. Puna përpara nesh do të jetë e vështirë, mirëpo ta premtoj këtë: Unë do të jem president i të gjithë amerikanëve – pavarësisht nëse më keni votuar apo jo. Do ta ruaj besimin që më keni dhënë”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Biden do të inaugurohet si presidenti i 46-të në historinë amerikane më 20 janar 2021.

Ai ka mundur presidentin aktual, Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Përmes një deklarate të publikuar nga fushata e tij, Biden ka thënë:

“Jam i nderuar dhe përulem ndaj besimit që populli amerikan ka në mua dhe nën-presidenten e zgjedhur (Kamal) Harris”.

“Ne kohën e pengesave të pashembullta, një numër rekord i amerikanëve kanë votuar. Duke vërtetuar edhe një herë, që demokracia rreth fort në zemrën e Amerikës”.

“Meqë fushata ka përfunduar, është koha të lënë zemërimin dhe retorikën e ashpër mbrapa nesh dhe të bashkohemi si komb”.

“Është koha që Amerika të bashkohet. Dhe të shërohet”, ka thënë ai.

Trump, ende nuk ka pranuar humbjen dhe është zotuar se do ta sfidojë rezultatin në gjykatë.

Fitorja në Pensilvani, me 20 vota të Kolegjit Elektoral, i ka dhënë Bidenit të paktën 273 vota, ndërkohë që shtetet si Arizona, Nevada, Xhorxhia dhe Karolina Veriore ende nuk kanë shpallur fituesit.

Disa media amerikane i kanë dhënë Bidenit edhe 11 votat e Arizonas.

LEXO EDHE:

Back to top button