Jonuzi për Alsat: Nuk kam pasur kërcënime, nuk i di arsyet e djegies së veturës
Jonuzi për Alsat: Nuk kam pasur kërcënime, nuk i di arsyet e djegies së veturës
Gazetar: Mefail Ismaili
Zëvendësdrejtori i Burgut të Idrizovës, Femi Jonuzi thotë se nuk e dinë arsyen e saktë për djegien e veturës zyrtare të cilën e ka përdorur. Ai thotë se nuk ka pasur ndonjë kërcënim paraprak, ndërsa autoritetet që kanë bërë ekspertizën thonë se shkak i zjarrit mund të jetë edhe instalimi elektrik i veturës.
“Mbrëmë rreth orës 20.45 kam hyrë në xhami, në ora 21.15 është dhënë alarmi se jashtë digjet një automjet. Kanë ndihmuar banorët në shuarjen e zjarrit. E kemi paraqitur rastin në organet e rendit të cilët kanë ardhur në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë ekspertizën. Sipas ekspertëve, të dhënat fillestare flasin se zjarri është shkaktuar vetë si pasojë e ndonjë difekti elektronik. Nuk mund të them se ky rast ka të bëjë me rastin e disa ditëve më parë kur një polici të burgut i cili kishte kërcënime ju dogj automjeti, pasi nuk kam pasur ndonjë kërcënim nga dikush, por këtë duhet ta konfirmojnë ekspertët dhe policia”, deklaroi Femi Jonuzi, zv/drejtor i Burgut – Idrizovë.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se i kanë marrë të gjitha masat për zbardhjen e rastit.
“Me datë 17.04.2023 në ora 22:34 në Stacionin Policor – Draçevë, S.J.(45) nga fshati Studeniçan – Shkup, ka paraqitur se rreth orës 21:15 në fshatin Studeniçan, i është vënë flaka automjetit “Volkswagen Passat Caravan” me targa të Shkupit, pronësi e Burgutë Idrizovë, të cilën ai e ka parkuar më parë. Është kryer ekspertiza dhe po merren masat për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ky është rasti i dytë që brenda një javë u digjen veturat të punësuarve në burgun e Idrizovës. Ditë më parë iu vu flaka veturës së Afrim Rexhepit, polic në Burgun e Idrizovës. /Alsat.mk