Jotova: Marrëveshja e fqinjësisë së mirë nuk respektohet – Pendarovski: Zonja e ka gabim

Jotova: Marrëveshja e fqinjësisë së mirë nuk respektohet – Pendarovski: Zonja e ka gabim

Gazetar: Lluka Andreev

Nënpresidentja bullgare Iliana Jotova, thotë se nuk sheh asnjë arsye që Sofja të heqë bllokadën në procesin e negociatave të Maqedonisë. Jotova, në një intervistë për televizionin bullgar, tha se për të është thelbësore që të ketë rezultate nga puna e Komisionit të Përbashkët të Historisë, përkatësisht ndryshim në tekstet shkollore të Maqedonisë.

“Bullgaria ka katër, pesë kushte ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilat janë vendosur shumë kohë më parë, nga viti 2019, kur u bë e qartë se pas nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, asgjë nuk lëvizi. Pas tetëmbëdhjetë seancave të Komisionit të Përbashkët të Historisë, asnjë rresht nuk është ndryshuar në tekstet e shkollave në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, theksoi Iliana Jotova – Zëvendës Presidente e Bullgarisë.

Nga ana tjetër, presidenti Stevo Pendarovski tha për Alsat, se kërkoi shembuj të pohimeve të politikanëve bullgarë se Marrëveshja nuk po respektohet.

“Zonja gabon thellësisht, e ka gabim. Ata duhet të tregojnë gabimet specifike nga ana jonë, apo për mospërputhje në zbatimin e asaj Marrëveshjeje”, u shpreh Stevo Pendarovski – President.

Pendarovski dhe Jotova e ndezën gjithashtu retorikën për rezultatet e regjistrimit në vend. Sipas nënpresidentes bullgare, numri i bullgarëve të regjistruar është i vogël, sepse autoritetet u kërkuan këtyre personave dokumente si provë për përkatësinë e tyre etnike

“Në këtë fazë nuk shoh ndonjë bazë që të njihet regjistrimi”, tha Iliana Jotova – Zëvendës Presidente e Bullgarisë.

“Na jepni një shembull të një njeriu, që është deklaruar si bullgar etnik këtu dhe këtë e ka refuzuar një regjistrues. Këto janë pretendime që nuk kanë asnjë kontakt me realitetin dhe nuk janë të bazuara në të vërtetën”, tha Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë.

Tensionet mes dy vendeve u ngritën pas hapjes së klubit kulturor në Manastir me emrin “Vanço Mihajlov”. Pavarësisht kësaj,  Kryeministri Dimitar Kovaçevski sërish kërkoi fillimin sa më të shpejtë të bisedimeve për anëtarësim, por edhe zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë përmes dialogut, jashtë procesit të anëtarësimit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button