Jovevski “i padëshiruar” për në kushtetuese, Gërkovska: Të mos na përsëritet “Abazi”

Jovevski “i padëshiruar” për në kushtetuese, Gërkovska: Të mos na përsëritet “Abazi”

Gazetar: Adnan Qaili

Kryeprokurori Lubomir Jovevski edhe sot shmangi ballafaqimin publik me Zëvendëskryeministren për qeverisje të mirë, Sllavica Grkovska. Edhepse kishte konfirmuar pjesëmarrjen në debatin e organizuar për antikorrupsion në moment të fundit nuk u paraqit. Jovevski reagimin e fundit e pati me shkrim, tha se pozita që ajo mban është e panevojshme, pasi që Gërkovska kritikoi ashpër mos efikasitetin e tij në krye të Prokurorisë. Ajo tha se në detektimin e dobësisë së sistemit, do të duhet të ndërhyhet jo vetëm në rregullore dhe akte nënligjore, por në raste të caktuara edhe në vetë ligjet, në mënyrë që në të ardhmen të mos kemi “rezultate mjaft interesante” siç ishte gjatë zgjedhjeve për kreun e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, Islam Abazi.

“Nuk mund të ketë kushte të përgjithshme për zgjedhjen e të gjithë gjykatësve, por duhet të ketë kushte specifike në varësi se për cilën gjykatë bëhet fjalë. E njëjta vlen edhe për Prokurorinë, nuk mund të ketë kushte të përgjithshme për zgjedhjen e Prokurorit për krim të organizuar dhe korrupsion, por duhet të kenë përvojë me raste rekorde të zgjidhura në atë fushë. Duhet të fokusohemi në rregullore dhe akte ligjore si për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve që mund të zgjidhen me shumicë të thjeshtë”, deklaroi Sllavica Grkovska, Zëvendëskryeministre për qeverisje të mirë.

Pas zv/kryeministres Grkovska edhe numri një i Anti-korrupsionit, Biljana Ivanovska me kritika të ashpra ndaj prokurorit Lubomir Jovevski. Ajo tha se për shkak të rezultateve jo të kënaqshme kryeprokurori nuk meriton që të avancohet në pozitën e gjykatësit kushtetues.

“A duhet avancuar Kryeprokurori i Shtetit, ose jo, po të isha unë në vendin e tij, me rezultate të tilla, nuk do të mendoja të kandidohem për funksion të tillë, çfarë tu them. Pra, me atmosferë të këtillë në publik, me këto kritika, për punën e prokurorisë, ku ai është njeriu i parë, vështirë se mundet të merret me publikun, duke thënë se po unë duhet të jem Gjykatës Kushtetues, nuk e di. Sipas meje, jo”, tha Biljana Ivanovska, Kryetare e Komisionit Anti-Korrupsion.

Pushteti mbron me fanatizëm propozimin që Lubomir Joveski të bëhet gjykatës kushtetues. Kjo pikë akoma nuk ka kaluar filtrin në komisionin parlamentar. Mbetet e paqartë nëse shumica parlamentare do të vazhdojë ta mbrojë Joveskin edhe pas përplasjeve të hapura me zëvendëskryeministren Gërkovska. Deri sa afatet rrjedhin sa vjen e shtohet presioni në opinion për konsolidimin e organeve, të cilat duhet të luftojnë korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar në institucionet shtetërore, e rëndësishme edhe në procesin e bisedimeve me BE-në. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button