Juventus – Inter luhet këtë të martë, me dy armiqtë e përbetuar të futbollit të përtej Adriatikut që këtë herë përplasen në kërkim të një bilete për në finalen e Kupës së Italisë. Gjysmëfinalja e parë do të luhet në “Allianz Stadium”.
“Bardhezinjtë” vijnë në këtë përballje të karikuar si rrallëherë: në 9 ndeshjet e fundit kanë regjistruar 8 fitore dhe vetëm një humbje, janë 5 sukseset radhazi ndërkohë që në dy të fundit, mundën pikërisht Interin në kampionat me golin e firmosur nga Kostiç, ndërsa më pas mposhtën edhe Veronën.
Nga ana tjetër, Simone Inzaghi prezantohet në “Allianz Stadium” në mënyrën më të keqe të mundshme, Interi vjen në këtë sfidë pas 3 disfatave radhazi në kampionat, teksa ka shijuar vetëm një herë suksesin në 5 ndeshjet e fundit, në fitoren 2-0 ndaj Leçes.
Humbja ndaj Fiorentinës ka pështjelluar edhe më shumë ujërat, të shumtë janë ata që kërkojnë shkarkimin e Inzaghit, me trajnerin që varet në fije të perit, e megjithatë duket se do të rezistojë të paktën deri në sfidën e parë të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve me Benfikën.
Juventusi aktualisht në vendin e 7-të të klasifikimit me 44 pikë, por nëse llogariten edhe 15 pikët e hequra nga dënimi për çështjen e falsifikimit të bilanceve, do të ishte në vendin e dytë, me Maks Allegrin që përsërit se ky është klasifikimi real i bardhezinjve.








