Kadriu: Shfuqizimi i nenit 23, zhbën shqipen
Gazetare: Ajnur Bafqari
Nëse shfuqizohet neni 23 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, atëherë përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe zhbëhet. Kështu deklaroi Gjykatësi Kushtetues, Osman Kadriu në intervistën për Alsat, duke sqaruar se pikat 4 dhe 5 të këtij neni, shërbejnë për harmonizimin e këtij ligji me ligjet tjera.
“Në qoftë se abrogohen këto dispozita atëherë gjuha shqipe e humb atributin të jetë gjuhë zyrtare në shtet.
– Që do të thotë zotëri Kadriu, që t’ia sqarojmë dhe opinionit. Shfuqizimi i këtyre pjesëve të nenit 23 e zhbën Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve?
– Sigurisht. Vjen në pyetje në tërësi ligji, se ne do të kishim vetëm përdorim gjysmak të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, ndërsa përdorimi gjysmak nuk nënkupton gjuhë zyrtare në shtet” deklaroi Gjykatësi Kushtetues, Osman Kadriu.
Kadriu kundërshtoi deklaratën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski i cili se nëse vendoset Badinter në Gjykatë apo shumicë E dyfishtë, atëherë duhet t’i vendoset çelësi Kushtetueses. Sipas Osmanit nëse Gjykata vepron ndaj lëndëve siç ka vepruar më herët, atëherë gjykatës duhet t’i vendoset çelësi.
“Nuk mbyllet gjykata siç deklaron kolegu Darko se në qoftë se vendoset Badinteri në Gjykatën Kushtetuese, atëherë lirisht ne mund ta mbyllim, t’i vëmë çelësin. E kundërta, çelësi do t’i vendoset nëse Gjykata Kushtetuese vendos në mënyrë siç i ka vendosur për disa çështje konkrete”, nënvizoi ai.
Kadriu u bëri thirrje partive politike shqiptare që të bëjnë presion për hapjen e Kushtetutës rreth çështjeve në interes për shqiptarët./Alsat.mk.








