Kalaja e Tetovës, në mëshirë të fatit

Kalaja e Tetovës, që daton që nga shekulli i 18 duhej të ishte atraksion i vërtetë për turistët, por realiteti është krejt ndryshe. Në këtë lokacion vizitorët e vetëm janë qentë e shumtë endacakë dhe kuajt.

Vit më parë Muzeu i qytetit të Tetovës premtoi ndriçimin e Klasë, roje dhe mirëmbajtje. Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Kalaja sidomos gjatë natës merr pamjen e filmave të frikshëm.

 “Nuk ka as rrugën e ndriçuar deri në kala e lere më të meremetohet rruga apo të ketë investime brenda saj”.

Investimi i vetëm që pritet të bëhet këtë vit, është vazhdimi i sanimit të murit, gurët e të cilit janë vjedhur nga disa banorë të pandërgjegjshëm.

 “Qendra e Konservimit, sivjet ka pranuar 700 000 denarë për punime në Kalanë e Tetovës. Me këto fonde do të bëhet përfundimi i murit të rinuar vite më parë”, u përgjigjën me shkrim nga Qendra e Konservimit.

Dy vizitorët e vetëm që i takuam në Kala pas disa orësh pritje, thanë se jo vetëm Kalaja e Tetovës, por edhe qyteti është lënë tërësisht pas dore.

 “Është lënë pas dore po na ikën ashtu sikurse shteti i gjithi që na ikën. E lanë këtë tani bëjnë rrugën e banjës, me trotuare madje megjithatë Kalaja vërtetë është vlerë e madhe”.

 “Kalaja është shumë e vlefshme shumë, por çka të them, kjo është papërgjegjësi, nuk i ngjan kjo qytetit. As qyteti më nuk i ngjan qytetit që ishte. Unë jam e rritur dhe e di si dukej qyteti sa ishte i bukur dhe i pastër tani kur e shikoj nuk i ngjan qytetit”.

Historianët sugjerojnë që autoritetet urgjentisht të përpilojnë plan për revitalizimin e Kalasë.

 “Leverdia është e paparashikueshme ndërsa dikush si duket nuk ka vetëdije për të. Është papranueshme kjo mirëpo ka tendenca të ulëta. Duhet të kenë një strategji të re, ndonëse nuk dua të flas nga pikëpamja e politikës ditore, por projektet e tilla duan një strategji të mirëfilltë”.

Bashkim Sulejmani                                                                                         op.Besim Raufi

LEXO EDHE:

Back to top button