Kallas: Zgjerimi i BE-së të bëhet realitet
Kallas: Zgjerimi i BE-së të bëhet realitet
Kandidatja për pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, tha në një seancë dëgjimore se do të angazhohet për të forcuar sigurinë e bllokut evropian dhe do të bashkëpunojë me fqinjët që ndajnë vlera të përbashkëta, si dhe kanë aspirata për anëtarësim në bllokun evropian. Kallas tha se zgjerimi i BE-së e forcon vetë bllokun, por edhe vendet që synojnë anëtarësimin. Sipas Kallasit, forca tërheqëse e BE-së i frymëzon shtetet nga Ballkani Perëndimor e deri tek Evropa Lindore për reforma dhe për angazhim drejt integrimit në BE. Sipas saj siguria e BE-së është e lidhur ngushtë me NATO-n dhe u zotua se do të angazhohet për të vazhduar bashkëpunimin transatlantik. Sfidat kryesore për BE-në dhe aleatët lidhen me qasjen e Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut, vende, të cilat, sipas saj, janë duke e sfiduar rendin botëror, tha Kallas. Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, është caktuar nga shefja e BE-së, Ursula von der Leyen dhe vendet anëtare të bllokut, për të udhëhequr politikën e jashtme në mandatin e ardhshëm pesëvjeçar. Në legjislaturën e kaluar, këtë pozitë e ka mbajtur Zhosep Borrell.
“Zgjerimi është investim gjeostrategjik dhe është në interesin e vet Bashkimit Evropian. E bën Unionin tonë më të fuqishëm, i bën anëtaret e reja të familjes evropiane më stabile dhe të sigurta. Në 5 vitet e ardhshme na duhen rezultate të qarta. Së bashku me Komisioneren për Zgjerim, do të punoj me vullnet që ta bëjmë zgjerimin realitet. Problemet e sotme të fqinjëve tanë do të jenë probleme tona nesër”. Deklaroi Kaja Kallas, kandidate për përfaqësuese për politikën e jashtme të BE-së. /Alsat.mk