Policia ka ngritur kallëzim penal kundër ish ministri të Brendshëm, Oliver Spasovski. Kallëzimi i referohet veprimeve të Spasovskit në kundërshtim me ligjin gjatë vitit 2021.
Përkatësisht, kallëzimi penal ka të bën me propozimin që shërbimet e MPB-së i kishin dorëzuar atij në cilësinë e ministrit, për marrjen e kompetencave të kontrollit teknik “Via Komerc”, kompania ku kontrollin teknik të fundit e kishte kryer autobusi i “Besa Trans” që u aksidentua në Bullgari dhe humbën jetën 45 persona. Policia dyshon se me veprimet e tij, Spasovski ka kryer shpërdorim të detyrës zyrtare.
“Në afatin e paraparë me ligj nuk ka sjell vendim për t’i marrë kompetencat e kontrollit teknik mbi bazën e propozimit paraprak të dorëzuar nga Njësiti për Çështje Qytetare. Edhe pse e ka ditur që afati për marrjen e kompetencave është më së voni 15 ditë (nga dita kur i është dorëzuar lënda) i njëjti nuk ka vepruar në përputhje me ligjin”, thonë nga Ministria e Brendshme.
Ish ministri i Brendshëm, Oliver Spasovki i ka përgënjështuar pretendimet në kallëzimin penal duke i cilësuar si të pa baza dhe të porositura nga e ashtuquajtura “MVRO-VMRO”. Sipas tij, Qeveria po shmang vëmendjen nga skandalet përmes kallëzimeve penale të pabaza.
“Nuk më befasojnë metodat e tyre, asgjë e re, “MVRO-VMRO” po kthehet në skenë, gjithmonë kur duhet defokusuar opinioni nga skandalet e Qeverisë. VMRO-DPMNE-ja po i shmanget temave kryesore, tragjedisë në Kocan, migrantëve, krimeve dhe gjendjes së keqe ekonomike. Nuk e di nëse i pengojnë rezultatet e mia si ministër, apo përcaktimi im për luftë kundër korrupsionit”, deklaroi Oliver Spasovski, Ish ministër i Brendshëm.
Në janar të vitit 2023 Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit pas denoncimit që kishte marrë për lëshimet në kontrollin teknik, hapi lëndë kundër Spasovskit dhe kërkoi konstatimin e përgjegjësisë nga ana e Qeverisë. Sipas gjetjeve të anti-korruspsionit, Spasovski kishte sjell vendim për mbylljen e Qendrës për Kontroll Teknik vetëm 3 ditë pas tragjedisë, ndërkohë që propozimi për marrjen e kompetencave kishte nisur më herët. Më 12 gusht 2021 ishte kryer kontroll i punës së qendrës. Gjatë kontrollit të bërë nga shërbimet e MPB-së, ishte konstatuar se subjekti nuk ka regjistra për kontrollet e kryera dhe se ka të angazhuar nxënës të shkollave të mesme për t’i kryer kontrollet përkatëse. Më 25 gusht është dhënë propozimi për fuqizimin e ndalesës me punë, por “Via Komerc” kishte vazhduar së funksionuar. Më 5 tetor në të ishte kryer kontrolli i fundit i autobusit që u aksidentuar në Bullgari më 23 nëntor. Menjëherë pas tragjedisë, tre ditë më vonë Spasovski merr vendim për mbylljen e tij, ndërsa më 6 dhjetor subjekti e pranon vendimin. Prokuroria e Krimit të Organizuar kishte hapur lëndë për tragjedinë, por ish shefja e organit të akuzës aso kohë, Villma Ruskovska kishte deklaruar se hetimi nuk ka arritur ta konstaton se deri te tragjedia ka ardhur si pasojë e problemit teknik të autobusit. Këtë sipas saj duhet ta konstatonin hetuesit në Bullgari. /Alsat.mk








