Kancelari Olaf Scholz udhëton në Paris

Kur prezantuesi e pyeti Olaf Scholzin, gjatë një debati televiziv se ku do të zhvillohej udhëtimi i tij i parë zyrtar si kancelar, ai nuk dyshoi për asnjë sekondë: “Në Paris”. Tani do të ndodhë me të vërtetë: Olaf Scholz-i, kancelari i ri gjerman, do të shkojë në ditën e tretë të mandatit te partneri kryesor evropian i Republikës Federale. Në shtetin fqinj. Në Francë.

Por kjo nuk është hera e parë që Olaf Scholz-i viziton Pallatin Élysée.Ai mbahet mend ende mirë atje si zëvendëskancelar dhe ministër i Financave i Angela Merkelit dhe si partner i homologut të tij francez Bruno Le Maire. Të dy nxitën krijimin e Fondit të Rindërtimit të BE-së për pandeminë COVID. “Tek ne, Scholz-i është mbi të gjitha sinonim i vazhdimësisë dhe parashikueshmërisë”, shpjegon Christophe Arend, deputet i partisë në pushtet (LREM).

Në Francë e lexojnë me kënaqësi programin e koalicionit qeveritar. Edhe nga ana përmbajtësore janë të prirur për mirë ndaj Olaf Scholz. “Mendoj se Parisi do ta ketë lexuar me shumë kënaqësi marrëveshjen e koalicionit, veçanërisht atë që i kushtohet Evropës dhe politikës së jashtme dhe të sigurisë”, thotë Ronja Kempin në një intervistë për DW. Kryesisht sepse qeveria e re gjermane dëshiron të ndërtojë një “Evropë strategjikisht autonome”. Me fjalë të tjera, një Evropë të aftë për të vepruar unanimisht në çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Kjo është një kërkesë e vjetër e presidentit francez Emmanuel Macron, e cila deri tani ka hasur në ngurrim nga Berlini.

Në përgjithësi, marrëveshja e koalicionit është në shumë pika një përgjigje e vonuar ndaj dorës së shtrirë të Macronit ndaj Gjermanisë, shpjegon Paul Maurice i IFRI. Sepse për vite me radhë, Franca ishte mjaft e zhgënjyer nga Gjermania e Merkelit. Në shtator 2017, Presidenti Macron prezantoi një plan ambicioz për të ardhmen e Evropës në fjalimin e tij në Sorbonë. “Evropa që ne njohim është shumë e dobët, shumë e ngadaltë, shumë joefikase, por vetëm Evropa na jep hapësirë për manovrim në këtë botë gjatë sfidave të mëdha”. Zgjidhja e propozuar nga Macron: më shumë Evropë.

Shpresa e tij: që Gjermania do të ngrihet, do t’i bashkohet Francës dhe do të ndërtojë një të ardhme të përbashkët evropiane. Por përgjigja nuk erdhi. Kryesisht sepse Gjermania nuk donte të bënte një hap shumë largvajtës drejt integrimit evropian./DW

LEXO EDHE:

Back to top button