Kanceri i gjirit mund të prekë një në tetë gra

Një në tetë gra me jetëgjatësi deri në moshën 70 vjeçare, mund të preken nga kanceri i gjirit. Ndërgjegjësimi i grave për kontrolle të shpeshta, është kyç për shërimin e suksesshëm të të prekurve. Narta Kasa, është njëra nga gratë e prekura nga kanceri i gjirit. Peripecitë janë të shumta thotë ajo, por nuk është betejë që nuk fitohet, nëse diagnostifikohet në kohë.

“Unë jam një shembull tipik se detektimi i hershëm shpëton jetë. Edhe në rastin tim detektimi i hershëm i rastësishëm ishte shkas që unë sot mbijetova. Mirëpo dua të them që gratë që ndeshen me kancerin e gjirit, fitojnë një betejë por nuk e dimë sa e kemi fituar luftën me të. Andaj edhe organizohemi në forma të këtilla që të ngremë vetëdijen te gjitha femrat se detektimi i hershëm është faktor kyç për shpëtimin e jetës. Kontrolli i shpeshtë dhe i rregullt realisht, që ne jo se e kryejmë me vullnet të madh, mendoj që është mjaftë i rëndësishëm dhe luan rol kyç në shpëtimin e jetës”, tha Narta Kasa Iseni, E mbijetuar nga kanceri i gjirit.

Gratë që duhet t’i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjike mjekët thonë se nuk duhet të shqetësohen për aspektin estetik.

“Intervenimi kirurgjik është i paevitueshëm që nuk mund t’i iket, dhe ajo është masa më efikase për trajtimin e kancerit të gjirit dhe parandalimin e zgjerimit të kancerit të gjirit, normal në bashkëpunim edhe me terapinë onkologjike. Gratë më së shumti i ikin intervenimit kirurgjik nga aspekti kozmetik, por ajo shumë lehtë kompensohet me anë të përdorimit të meshave apo protezave. Apeloj te gjitha gratë të mos hezitojnë dhe të mos humbin nga koha e çmuar duke u trajtuar me preparate mjekësore dhe jo mjekësore, normal edhe terapia onkologjike është e preferueshme, por trajtimi kirurgjik me intervenim adekuat dhe me korrektura plastike mund të bëhet e përballueshme për çdo grua”, pohoi Nexhati Jakupi, kirurg.

Evitimi i kancerit të gjirit, madje deri edhe me 23 për qind, bëhet përmes aktivitetit sportiv, sepse kanceri i gjirit, nuk ka të bëj më histori familjare, madje deri në 80 për qind të rasteve. Edukimi i hershëm dhe ngritja e vetëdijes mbi kancerin e gjirit, sipas OBSH-së, në SHBA shpëton deri në 37 jetë në ditë.

Bashkim Sulejmani

LEXO EDHE:

Back to top button