Kaos urban në Ilinden: Pa leje ndërtimi dhe pa kontroll mbi tatimet
Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar parregullsi në funksionimin e Komunës së Ilindenit gjatë mandatit të parë të kryetarit Aleksandar Georgievski. Sipas tyre, komuna ka ndërhyrë në punime pa leje ndërtimore, pa projekte konkrete, pa raporte financiare dhe pa urdhra pune. Të gjitha këto shkelje janë bërë gjatë vitit 2024.
“Gjatë ndërtimit dhe rikonstruksionit të rrugëve lokale, rrugëve, terreneve sportive dhe pajisjeve urbane në Komunën Ilinden, në vlerë 1.6 milion euro konstatuam dobësi në lidhje me: kryerjen e punimeve ndërtimore pa leje ndërtimi, rikonstruksionin e objekteve infrastrukturore pa projekt të miratuar, urdhrat e punës që nuk përmbajnë elemente thelbësore, kryerjen e punimeve që nuk janë parashikuar në urdhrat, si dhe mungesën e llogaritjeve përfundimtare dhe dokumentacionit ndërtimor,” thonë nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Shkelje janë konstatuar edhe në sektorin e sportit dhe kulturës. Disa aktivitetet janë realizuar pa shpallje publike, madje duke mos përfshirë as kritere dhe kushte të qarta të domosdoshme që i parashikon ligji. Vlera e tyre ka shkuar mbi 1.3 milion euro. Gjithashtu janë konstatuar parregullsi edhe në procedurat për dhënien e kontratave për prokurimet publike. Revizioni ka konstatuar se struktura e kërkesave nuk është përcaktuar, nuk është bërë harmonizimi i vlerës për 57.5 milion denarë, kërkesa nga vitet e kaluara për të cilat ekziston pasiguri në arkëtim, ndërsa evidenca tatimore dhe ajo kontabël nuk janë të harmonizuara për 650 mijë euro. /Alsat.mk








