Karim Benzema ka marrë pjesë në programin “Los Amigos de Edu” me gazetarin Edu Aguirre, ku ka diskutuar për tema të ndryshme. Sulmuesi francez reflektoi mbi karrierën e tij të mrekullueshme në ‘Santiago Bernabeu’ teksa diskutoi edhe për aventurën e tij aktuale në Arabinë Saudite.
Benzema zbuloi se ai u largua nga Real Madridi në kohën e duhur, pasi ka arritur gjithçka që mund të arrinte. Pasi fitoi një sërë titujsh dhe siguroi “Topin e Artë”, ai u ndje se ishte më mirë të largohej në formë të lartë se sa të rrezikonte që niveli i tij të bie sezonin e ardhshëm.
“Unë kam bërë gjithçka. E nisa si fëmijë dhe i dhashë fund si burrë. Me të gjithë titujt dhe Topin e Artë, unë doja të largohesha me kokën lartë. Askush nuk e di se si do të paraqitesha vitin e ardhshëm”.
Ai gjithashtu qartësoi se nuk e kishte në plan që t’i bashkohej ndonjë klubi i cili konkurron direkt me Real Madridin, si Paris Sen Zhermeni apo Man. Siti.
“Për mua, Real Madridi është klubi më i mirë në botë dhe nuk doja të shkoja dhe të konkurroja për një tjetër skuadër që mund të konkurrojë ndaj Madridit si PSZH ose Siti,” tha mes tjerash Benzema.








