Gazetar: Suad Bajrami
Bilall Kasami u shpreh i zhgënjyer nga reagimi i Arben Fetait sa i përket zhvillimeve të fundit në VLEN lidhur me procesin e shkrirjes së koalicionit në parti, por edhe reagimit të tij publik lidhur me mospajtimin që kishte për vendimin që partia e ardhshme VLEN, të udhëhiqet me dy kryetarë. Për këtë, Kasami sot ia tregoi derën Fetait, nëse nuk është në frymën e unifikimit.
“Mua më vjen keq për zotëri Fetain, ne kemi vlerësuar punën e tij dhe nuk kemi pritur një reagim të tillë duke e pasur parasysh faktin që VLEN-i ka nisur rrugëtimin e tij dhe duhet të vazhdojë drejtë përmbylljes së këtij procesi. Çdokush që nuk është në këtë frymë, mendoj që duhet të vlerësojë veprimin e mëtutjeshëm politik”, tha Bilall Kasami.
Ndërkohë Fetai, për akuzat e djeshme sot mori përgjigje edhe nga Azir Aliu, i cili periudhën e kaluar së bashku me Mimoza Musën dhe Ilir Demirin e morën primatin e ASH-së në Qeveri, duke lënë Fetain pa potencë politike. Aliu e porosit Fetain që rezultatet flasin më shumë se fjalët.
“Gjithçka në proceset politike, atë që e bëjmë në Ministri të Shëndetësisë duhet ta bëjmë edhe në politikë. Pra politika duhet të jetë e bazuar në fakte, në realitete dhe në të dhëna. Faktet tregojnë sot se ne jemi aty ku jemi, në rrugën e drejtë dhe për të krijuar siç i krijojmë sot në shëndetësi, për të mirë të ekosistemit politik në shtet dhe për të mirë të qytetarëve. Pra uroj që rezultatet të flasin më shumë se sa ne që flasim”, tha Azir Aliu.
Arben Fetai prej kohësh është i “padukshëm” në aktivitetet e VLEN-it dhe në opinion, sidomos pas ndarjes me grupin e Aliut dhe Musës. Qasjen e mospranimit si lider të ASH-së në Qeveri meqë mbeti pa mbështetjen e asnjë deputeti, Fetai e pranoi rëndë. Me shprehjen “Revolucioni i ha bijtë e vet”… dhe në fund ha kokën e vet”, Fetai i porositi liderët e VLEN-it se kur një lëvizje fillon të konsumojë njerëzit e saj për shkak të apetiteve të fraksioneve, ndonjëri prej tyre mund të forcohet përkohësisht, por në fund, lëvizja ha kokën e vet. Postimin, e shpërndau në Facebook edhe Fatmir Limani, figura që është jashtë kontrollit politik të VLEN-it.
Por këtu nuk ndaloi, kur Alsat shtroi çështjen nëse Fetai duhet të shkarkohet meqë s’ka mbështetje politike, ai nëpërmjet statusi tha që s’ka mosmarrëveshje me krerët e VLEN-it, për të demantuar veten në po të njëjtin status veten se ka dallime thelbësore sa i përket çështjes së udhëheqjes së VLEN-it me dy kryetarë.
Me emër dhe mbiemër i ftoi liderët të deklarohen: “Folni burra, folni hapur publikisht siç e meritojnë qytetarët”. Madje i kujtoi ata se po të mos kishte qenë ai, sot VLEN-i nuk do të ekzistonte, ndërsa rikujtoi sakrificën se si me zemër të thyer është ndarë nga miku i tij Arben Taravari.








