Është rritur ndjeshëm përqindja e lindjeve me prerje cezariane në vend. Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë thekson se duhet rishikim i protokolleve klinike. Sipas saj, prerja cezariane është e justifikuar vetëm kur ka rreziqe serioze për jetën e nënës ose të foshnjës. Megjithatë OBSH-ja rekomandon që vetëm 15-20 për qind e lindjeve të jenë më këtë procedurë. Në nivel global, rreth 33 për qind e lindjeve bëhen me prerje cezariane, që sipas drejtoreshës tregon një rritje shqetësuese.
“Gjithmonë pas prerjes së tretë cezariane të gjitha protokollet botërore parashikojnë sterilizimin e nënës, sepse çdo prerje cezariane e mëtejshme rrit rrezikun e komplikimeve. Megjithatë, ne nuk mund ta sterilizojmë nënë pa pëlqimin e saj…Ne këto kohë duhet të përqendrohemi edhe tek mortaliteti i nënave, sepse gjithnjë e më shumë gra po lindin në moshë më të madhe, kur ekziston një numër më i madh i sëmundjeve shoqëruese”, deklaroi Irena Aleksioska Papestiev, drejtoreshë e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës.








