Katër ditë pas sulmit kibernetik ndaj Ministrisë së Arsimit, ky dikaster assesi të këndellet  

Katër ditë pas sulmit kibernetik ndaj Ministrisë së Arsimit, ky dikaster assesi të këndellet  

Gazetare: Melihate Rustemi

Faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit për të katërtën ditë me radhë është jashtë funksionit pas sulmit kibernetik, shkruan Alsat.

Nga ky dikaster nuk zbardhin nëse është zbuluar burimi i sulmit edhe pse pas goditjes së faqes për disa orë qëndroi mesazhi, sulmuar nga  ekipi grek i hakerëve “Netwatchers”.

Ministri, Jeton Shaqiri tha për Alsat se ky sulm duhet të jetë alarm për  të gjitha institucionet publike që të investojnë në infrastrukturën digjitale. Ai tha se qytetarët nuk duhet të shqetësohen pasi në këtë faqe nuk ka baza të të dhënave po se faqja është e karakterit informativ.

“Sulmi kibernetik i javës së kaluar paraqet shtytje për gjithë institucionet publike që të investojnë më tepër në infrastrukturë digjitale, edhe krahas gjendjes së rënduar për shkak të krizës energjetike. Sa i përket vetë sulmit, mund të konfirmojmë që MASH nuk ka pësuar ndonjë dëm në të dhëna personale apo interne të ministrisë. MASH në afat rekord e hoqi përmbajtjen e ëebfaqes nga Interneti publik dhe për arsye sigurie të njëjtën ende nuk e kemi rikthyer deri në shmangien e të gjithë mangësive teknike të sistemit. Presim që migrimi i ëebfaqes në platformën e re dhe shumë më të sigurt ta kryejmë në afat 1-2 javë”, tha Jeton Shaqiri, ministër Arsimit dhe Shkencës.

Kjo nuk është hera e parë që faqja e internetit e Ministrisë së Arsimit ballafaqohet me sulme të tilla. Në muajin gusht nuk funksionoi kjo faqe, ndërkohë që në të njëjtën periudhë nën sulm kibernetik ishte edhe sistemi elektronik i mbështetjes iKnow i Universitetit “ Shën Kirili dhe Metodi”.

Gjithashtu, në shkurt të këtij viti, faqet e Ministrisë së Arsimit, të Punëve të Jashtme, të Qeverisë dhe të Bankës Popullores ishin në shënjestër të sulmeve nga persona që pretendonin të ishin pjesë e grupit grek të hakerëve “Powerful Greece” në Twitter.

Sulme kibernetike, ditëve të fundit kanë raportuar edhe Kosova, Shqipëria e Mali i Zi. Më 6 shtator, qeveria e Kosovës ka njoftuar se disa ueb-faqe të Institucioneve shtetërore ishin objekt i një sulmi kibernetik, por nuk ka specifikuar cilat./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button