Qyteti i Shkupit/ Përplasje mes Arsovskës dhe të shkarkuarve

Qyteti i Shkupit/ Përplasje mes Arsovskës dhe të shkarkuarve

Gazetare: Ajnur Bafqari

Për shkak të dyshimeve për ndikim në zgjedhjen e kompanisë në tenderin për stacionin e pastrimit të Vardarit në vlerë prej rreth 136 milion eurosh, Qyteti i Shkupit shkarkoi drejtorin e Ndërmarrjes “Ujësjellësi Zllatko Perinskin. Para se ky i fundit të prononcohet për media, në konferencë e paftuar erdhi edhe kryetarja e Shkupit Danella Arsovska.

Në prani të Arsovskës, drejtori i shkarkuar “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” hodhi poshtë akuzat për ndikim të mundshëm në procedurën e tenderimit. Ai tha se Ndërmarrja që drejtonte nuk sjell vendime në rastin konkret, por kjo është nën kompetenca të njësisë së projektit, ndërsa vlerësimet bëhen nga komisionet. Ai nuk ndjehet fajtor dhe kërkon institucionet relevante të verifikojnë procedurën.

“Ne si “Ujësjellës dhe kanalizim” nuk marrim vendime, komisioni për evoluim i vlerëson ofertat dhe kur të ketë raport përfundimtar, edhe njëherë të përsëris, ia dorëzon bankës lidere, që është Banka Evropiane për Investime, më tej unë nuk mund të komentoj nëse oferta është më e shtrenjtë apo më e lirë për 20 milion eruo, pasi hapja financiare e ofertave nuk ka filluar””, tha Zllatko Perinski, U.D Drejtor i NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”.

Arsovska tha se “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” nuk ka marrë parasysh kërkesën për ndryshim të komisionit për vlerësim, duke kërkuar arsyetim nga ana e bankave evropiane, sipas saj vetëm që të mos zbatohen kërkesat e Qytetit. Ajo madje paralajmëroi padi penale.

“Me vetë faktin që Qyteti ka kërkuar që të sigurohet procedurë më transparente, nuk është zbatuar, dyshimet tona janë serioze se është tentuar të ndikohet në procedurë. Në Maqedoni vlejnë ligjet e RMV-së, dhe jo ligjet evropiane, ka direktiva dhe marrëveshje që dihet se nëse shkelen çfarë vijon, por këtu ne kemi legjislativen tonë dhe nëse dikush i shkel ligjet, për të njëjtën pason përgjegjësia. Ne kemi indikacionet tona, i kemi dokumentet e mbledhura dhe të njëjtat do ti dorëzojmë tek prokuroria kompetente që do të vlerësojë nëse ka ose jo bazë që të vazhdohet me procedurat”, u shpreh Danella Arsovska, Kryetare e Qytetit të Shkupit.

Arsovska tha se akoma nuk dihet se çfarë do të ndodh me këtë tender dhe nuk e shpalosi emrin e ri që do të emërohet në vendin e Perinskit. Arsovka tha se ka shkarkuar edhe sekretarin e përgjithshëm të Qytetit Gjoko Vellkovskin, ndërsa ky i fundit akuzoi Arsovskën për potencial të dobët në punë. Projekti për pastrimin e lumit Vardar kreditohet nga Banka evropiane për investime me 68 milion euro, nga banka evropiane për zhvillim dhe ripërtëritje kreditohet me 58 milion euro ndërsa 72 milion eurot e tjera janë grant që shteti prej para 4 vitesh e siguroi nga Komisioni Evropian./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button