Katër ekipe nga Seria A, kërkojnë yllin kosovar
Edon Zhegrova është njëri prej sensacioneve të futbollit evropian në këtë edicion. Ylli kosovar është bërë njëri prej lojtarëve më të mirë në futbollin francez dhe paraqitjet e tij brilante s’kish se si të mos iu binin në sy klubeve të mëdha evropiane. Mediat italiane raportojnë se janë katër klube italiane që e pëlqejnë “Messin e Kosovës”.
Në ditët e fundit, Juventusi duket të jetë klubi më i interesuar për 25 vjeçarin, por prapa nuk mbetet as Roma, e cila e do në kryeqytet futbollistin e Lillet. Ndërkohë, Milani është duke e vëzhguar qe një kohë të gjatë ish-futbollistin e Baselit, i cili edhe vetë e ka shfaqur publikisht simpatinë që e ka për “Kuqezinjtë”.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë që Zhegrova të përfundojë në “San Siro” është trajneri Paulo Fonseca, pasi të dy kanë punuar bashkë në Francë. Përfaqësuesin kosovar e pëlqen edhe Napoli pasi trajneri Antonio Konte ka simpati të madhe për lojën e tij.
Zhegrova do ta ketë mundësinë t’i tregojë vlerat e tij pikërisht sonte në Itali, kur të përballet me Bolognën në Ligën e Kampionëve. Edoni i ka shënuar 8 gola në këtë sezon në të gjitha garat, prej tyre 4 në Ligën e Kampionëve dhe 4 në Ligue 1.
Vlera e kartonit të futbollistit më të mirë shqiptar të momentit sipas “Transfermarkt” është 25 milionë euro. Atë e pëlqejnë edhe klubet angleze dhe ato gjermane, ndërsa ëndërr e fëmijërisë së Zhegrovës është Barcelona.