Katër të vdekur nga cikloni Gabriel në Zelandën e Re
Katër të vdekur nga cikloni Gabriel në Zelandën e Re

Katër persona humbën jetën në Zelandën e Re pasi cikloni Gabriel goditi vendin në fillim të kësaj jave, raportoi DPA, duke i’u referuar policisë.
Një trup është gjetur në vendin ku një zjarrfikës u zhduk gjatë shembjes së një shtëpie në rajonin Oklend – qyteti më i populluar në vend. Tre persona humbën jetën në një zonë tjetër të Ishullit të Veriut – Gjirit Hokov.
Cikloni solli shi të dendur dhe erëra të forta gjatë natës nga e hëna në të martë duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu në ishullin e Veriut, ku banojnë tre të katërtat e pesë milionë banorëve të Zelandës së Re dhe duke izoluar qytete të tëra.
Rreth 10,500 njerëz janë detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre.
Pa energji elektrike mbetën 144 mijë njerëz. Megjithatë energjia është rikthyer gradualisht.
Autoritetet e Zelandës së Re njoftuan sot se më e keqja ka kaluar, por paralajmëruan se rreziku ende ekziston. Ata filluan të vlerësojnë shkallën e dëmit në qytete të izoluara ku rritja e ujërave shkatërroi rrugët dhe ndërpreu komunikimet. Në të gjithë vendin tashmë një javë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Cikloni Gabriel ishte “ngjarja më e fuqishme meteorologjike në Zelandën e Re në këtë shekull”, tha kryeministri Kris Hipkins.
Ministri i Menaxhimit të Krizave Kieran Mekanulti shtoi se “kjo është një fatkeqësi e madhe”. Do të duhen “shumë javë” për të rindërtuar zonat e prekura, parashikoi ai, duke paralajmëruar se “rruga është e gjatë”./MIA