Katër vjet nga dhuna e përgjakshme në Kuvend, organizatorët nuk e kanë marrë ende dënimin e merituar

4 vjet nga terrori në Kuvend. Organizatorët e të enjtes së përgjakshme, akoma mbeten në cilësinë e të dyshuarve. Gjykata nuk ka marrë një vendim me të cilin vuloset dhuna në ligjvënës. Të dyshuar janë ish kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish-ministrat Spiro Ristovski dhe Mile Janakievski dhe ish-drejtori i DSK-së, Vlladimir Atanasovski. Hetimi përfshin gjithashtu Nikolla Gruevskin dhe agjentin e kundërzbulimit Nikolla Boshkovski.
https://www.youtube.com/watch?v=aFFTxtYBxqM
Ndërkohë 16 personat e dënuar për cenim terrorist të rendit kushtetues me 188 vite burg ndodhen në procedurë ankimimi të vendimit pranë Gjykatës Supreme. Në këtë grup janë Mitko Çavkov, ish drejtor i Byrosë për Siguri Publike, protestues dhe sulmuesit e kreut të ASH-së, Ziadin Sela. Me ndihmën e ligjit të veçantë në kontekst të pajtimit kombëtar, u amnistuan deputetët që hapën portat e Kuvendit më 27 prill, Kërsto Mukoski dhe Sashe Vasilevski në këmbim të mbështetjes së ndryshimeve Kushtetuese për ndërrimin e emrit. Në këtë grup nuk u përfshi Abdylfeta Alimi i cili shpëtoi liderin e ASH-së, Ziadin Sela. Akti i tij u vlerësua human dhe ndikoi në uljen e dënimit.
Dhunës i parapriu zgjedhja e kreut të Kuvendit, Talat Xhaferi pas 5 muaj zvarritje nga pamundësia për ta konstituar Kuvendin. Protestat “Për Maqedoni të përbashkët” që protestuan për 100 ditë kundër të ashtuquajturës “Platformë e Tiranës” kulmoi më ndërhyrjen në Kuvend. U sulmuan liderët, deputetët dhe gazetarët. Në hetim u konstatua mos ndërhyrja e qëllimshme e policisë si pasojë e mos funksionimit të “komandës së artë”. Aso kohe më MPB-në udhëhiqte Agim Nuhiu, kuadër i BDI-së, ndërsa drejtor i BSP-së ishte Çavkov. Dy agjentë të DSK-së kishin tentuar t’i fshinin filmimet nga kamerat e sigurisë, por pamjet ishin ruajtur në një server tjetër.
Shumica parlamentare arriti ta formojë Qeverinë vetëm pas ndërhyrjes së të dërguarit special nga SHBA-të, Brajan Hojt Ji. Gjurmët nga dhuna në Kuvend vërehen edhe sot, ndërsa disa pjesë të godinës së ligjvënësit janë akoma të pa qasshme si pasojë e zhvillimeve të katër viteve më parë.
Adrian Kerimi