Kelmendi: Kosova si shtet është fakt i kryer, këtë e “çimentoi” Trump

Gazetari, njëherë edhe drejtori i Klan Kosova, në paraqitjen e tij të sotme në “Emisionin 200” në Alsat theksoi se përmes njohjes që iu bë Kosovës nga Izraeli në Washington u dëshmua se Kosova është shtet i pavarur dhe se kjo nuk do të ndryshojë. Kelmendi thotë se në Washington, Serbisë iu bë me dije se si përfundim, procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Ndonëse nuk u arrit një marrëveshje për t`i dhënë fund gjitha dilemave rreth njohjes së Kosovës, iu tregua në Shtëpinë e Bardhë Serbisë se njohja e Kosovës është fakt i kryer, kjo është fakt i kryer për Shtete e Bashkuara të Amerikës, dhe këtë e çimentoi presidenti Trump me telefonatën që pati me kryeministrin izraelit Netanyahu, me njohjen që ia bëri Izraeli Kosovës, duke i thënë aty Serbisë, përballë, se çfarëdo që ne po bëjmë, Kosova është shtet dhe do të mbetet shtet dhe se kjo duhet të jetë edhe rezultati përfundimtarë, sepse natyrisht nëse z.Trump dhe SHBA në politikën e saj nuk do ta kishin që Kosova si shtet është fakt i kryer, nuk do të investonin në një njohje të madhe siç ndodhi kjo me Izraelin”, tha Adriatik Kelmendi, gazetar.