Turqia dhe marrëdhëniet e saj me Perëndimin gjatë administratës Biden

Analistët turq thonë se fitorja e pritshme Biden mund të rezultojë një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e Turqisë me Shtetet e Bashkuara, që ose do të sjellë përkushtim të ri të Turqisë ndaj aleancave perëndimore, ose do të thellojë edhe më shumë lidhjet me Rusinë dhe Kinën, shkruan VOA.

Shumë udhëheqës evropianë nuk vonuan t’i ofronin përgëzime Biden, por Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan priti deri të mërkurën për të nxjerrë një deklaratë me urime. Udhëheqësi turk theksonte në deklaratë natyrën “strategjike” të lidhjeve dypalëshe dhe shtonte se duhet të forcohen më tej marrëdhëniet bazuar në interesa të përbashkëta.

Erdogan i dërgoi gjithashtu mesazh Presidentit Trump duke e falënderuar.

Gjatë administratës Trump, thonë kritikët, Erdogani nuk u ndëshkua për konfrontimin me anëtarë të NATO-s dhe për afrimin me Moskën, pasi Presidenti Trump kundërshtoi thirrjet në Kongres për sanksione kundër Turqisë.

Disa analistë me të cilët bisedoi korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones parashikojnë se me ardhjen e Biden në Shtëpinë e Bardhë, gjërat do të ndryshojnë për Presidentin Erdogan.

“Mesazhi nga Biden do të jetë që Turqia duhet të sillet si aleate,” thotë për Zërin e Amerikës pedagogu i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir të Stambollit, Soli Ozel. Ai shton se fitorja e Biden do të jetë një moment për t’u shënuar në marrëdhëniet dypalëshe:

“Presidenca Biden ofron mundësi për të ndryshuar kurs; jo medoemos për të hequr dorë nga interesat, por për të ndryshuar stilin. Nëse Turqia këmbëngul të vazhdojë duke sfiduar të gjithë, nuk mendoj se do të ketë përparim. Në këtë rast çelësi është sistemi S-400,” thotë zoti Ozel.

S-400 është një sistem i avancuar raketash që Turqia e bleu nga Rusia, megjithë paralajmërimet e Uashingtonit se blerja shkelte ligjin amerikan dhe radarët e sistemit kompromentonin sistemet mbrojtëse të NATO-s.

Ankaraja nuk përfilli paralajmërimet duke e vënë në provë sistemin muajin e kaluar, megjithëse senatorët amerikanë kërcënuan se ky hap mund të çonte në sanksione.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, në një takim të ambasadorëve turq në nëntor, i bëri thirrje Uashingtonit të hiqte dorë nga kundërshtitë ndaj sistemit S-400, duke deklaruar se ishte “punë e mbaruar”.

Sfida për presidencën Biden

Ndër vendimet e para kritike të politikës së jashtme,  Biden mund të ndeshet me mundësinë e sanksioneve kundër Turqisë lidhur me sistemin S-400. Thellimi i lidhjeve mes Erdogan dhe Presidentit rus Vladimir Putin po shton shqetësimet në radhët e NATO-s.

Nën aktin legjislativ Përballja me Kundërshtarët e Amerikës përmes Sanksioneve, Biden ka një numër opsionesh në formën e sanksioneve, duke filluar nga ato simbolike e deri tek masat financiare.

SHBA mund të marrë masa kundër bankës shtetërore turke Halkbank, për shkeljen e sanksioneve kundër Iranit. Megjithëse një gjykatë në Nju Jork dënoi me burgim një zyrtar të lartë të bankës në vitin 2018 për shkelje të shumta të sanksioneve kundër Iranit, Departamenti i Thesarit deri tani nuk e ka ndëshkuar Turqinë.

Në fillim të vitit 2021, Halkbank u ndesh përsëri me akuza për shkeljen e sanksioneve.

Analistët thonë se deri tani, Ankaraja është mbështetur tek rëndësia e saj strategjike si mbrojtje nga sanksionet. Turqia ka vijë të përbashkët kufitare me Iranin, Irakun, Sirinë, ka në territorin e saj një bazë të radarëve amerikanë dhe lejon ushtrinë amerikane të operojë në bazën e saj ajrore në Inçirlik, një ndër më të mëdhatë në rajon.

Vëzhguesit paralajmërojnë se Turqia mund të ketë mbivlerësuar rëndësinë e pozicionit të saj strategjik. “Shumë politikanë në SHBA besojnë se mund t’i zgjidhin gjërat edhe pa Turqinë,” thotë  Ozel, i cili shton se po vihet në pikëpyetje më shumë se kurrë më parë nëse Uashingtoni ka vërtetë nevojë serioze për bazën Inçirlik.

Analistët thonë se qëndrimi sfidues i Ankarasë përballë Uashingtonit mund të jetë një manovër negociatash. Ata thonë se Presidenti Erdogan është i vetëdijshëm se Biden do të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Moskës dhe se Turqia mund të luajë rol kritik në këtë strategji.

“Pa dyshim, Turqia dhe zoti Erdogan kanë shkaktuar shumë zemërim,” thotë Asli Aydintasbas, studiues në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë. “Do të ketë përpjekje edhe për të parë nëse SHBA mund ta largojë Turqinë nga Rusia. Mendoj se  Erdogan di si ta luajë këtë lojë; ai di të kurdisë SHBA kundër Rusisë dhe anasjelltas. Do të jetë një vallëzim interesant”.

Por ka disa që paralajmërojnë se mund të ketë pasoja më serioze nëse ky manovrim përfundon me sanksione kundër Turqisë.

“Veprimet keqdashëse kundër Turqisë ka të ngjarë ta afrojnë Turqinë me fuqi aziatike si Rusia dhe Kina,” thotë admirali në pension, Cem Gurdeniz. “Do të jetë e pashmangshme sepse po kërcënohet vetë ekzistenca e Turqisë”.

Grushti i dështuar i shtetit në 2016 në Turqi, i organizuar nga oficerë të pakënaqur me regjimin e Erdoganit, mund të jetë një tjetër faktor që i ndërlikon marrëdhëniet me Turqinë. Ende ekzistojnë dyshime në Ankara se administrata Obama, ku  Biden ishte nënpresident, ishte e përfshirë në tentativën për grusht shteti, akuzë që Uashingtoni e ka hedhur poshtë.

Por zoti Aydintasbas thotë se përvoja e zotit Biden gjatë shkëmbimeve me Turqinë në të kaluarën do ta ndihmojë.

“Në fund të administratës Obama, marrëdhëniet Uashington-Ankara ishin mjaft të dëmtuara. Në atë kohë Biden e tregoi veten si faktor pozitiv. Ai u dërgua në Turqi pas grushtit të dështuar të shtetit për të riparuar marrëdhëniet. Ndoshta marrëdhënia mes dy udhëheqësve nuk është aq e keqe,” thotë studiuesi./VOA

LEXO EDHE:

Back to top button