Këngëtarja Anita Aziri risjell këngën “Shiu I dendur”
Këngëtarja Anita Aziri risjell këngën “Shiu I dendur”

Gazetare: Ilmie Zhaku
Këngëtarja e njohur Anita Aziri ka risjellë për publikun këngën “Shiu i dendur”, një interpretim që ngjall kujtime të veçanta dhe dëshmon dashurinë e saj të pandryshuar për muzikën tradicionale shqiptare. E ftuar në emisionin “Ftesë në Studio”, Aziri foli jo vetëm për rikthimin e kësaj kënge të dashur, por edhe për rrugëtimin e saj ndër vite në skenën muzikore.
Në emision Anita ndau reflektime të thella mbi vlerat e këngëve të vjetra dhe domosdoshmërinë për t’i ruajtur ato nga humbja mes rrymave komerciale të sotme.
“Mendoj që duhet të ruhet shumë muzika tradicionale, sepse kemi pasuri të madhe që nuk e dimë. Kënga e vjetër edhe pas shumë vitesh, kur e sjell në skenë, shpreh nostalgji dhe ka kujtime të veçanta. Janë këngë të cilat nuk duhet të humben dhe janë punuar me përkushtim të madh në atë kohë, duke e ditur se sa janë munduar për të bukurën. Është gjynah ta zhdukim dhe t’i kthehemi komerciales dhe tregut tonë”, u shpreh ajo.
Kënga “Shiu i dendur” në versionin e ri vjen me tinguj të përpunuar, por me të njëjtën shpirtësi të së kaluarës, duke i bërë thirrje brezave të rinj të mos harrojnë rrënjët muzikore dhe të çmojnë trashëgiminë e pasur kulturore. /Alsat.mk