Keqpërdorimet gjatë furnizimeve të mazutit toksik/ Kapushevski dhe Jahoski janë dy të dyshuarit kryesor – Vazhdojnë bastisjet

Keqpërdorimet gjatë furnizimeve të mazutit toksik/ Kapushevski dhe Jahoski janë dy të dyshuarit kryesor - Vazhdojnë bastisjet

Gazetar: Suad Bajrami

Drejtori i RKM Ratko Kapushevski dhe pronari i Pucko Petroll, Asmir Jahoski janë dy të dyshuarit kryesor të cilët janë të përfshirë në skemën e blerjes së mazutit, me të cilin është ndotur ambienti jetësor dhe si pasojë është rrezikuar shëndeti i qytetarëve, shkruan Alsat.

Në mesin e të dyshuarve është edhe ish drejtori i EMV-së Vasko Kovaçevski, i cili ndodhet në arrati për rastin “Aditiv”. Jozyrtarisht, në hetim janë të përfshirë edhe dhjetëra persona të tjerë, të cilët në mënyrë ilegale kanë furnizuar mazut.

Në nëntor të vitit 2021 kur me qëllim të rritjes së prodhimit të energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike, Qeveria është pajtuar që ta hapë termoelektranën e Negotinës, e cila kishte qenë e mbyllur për 13 vite. Në një bisedë me gazetarët e IRL-së, ministri i atëhershëm i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka pranuar se po bëhet në llogari të mjedisit jetësor.

Me këtë EMV ka hapur dy tenderë për furnizim të 188 tonë mazut në vlerë prej 112 milionë eurosh. Ideja ka qenë që paratë e fituara nga rryma e prodhuar me mazut, të shfrytëzohen nga EMV për furnizim shtesë të mazutit.

Megjithatë, në tregun evropian në atë periudhë ka pasur mungesë të mazutit nëpër rafineri për shkak të kushteve të ashpra për cilësi, të cilat përfshijnë standarde të larta ekologjike dhe kufizime ku mundet dhe ku guxon të përdoret mazuti. RKM ka dorëzuar deri te EMV listë me vendet prej ku e ka marrë mazutin, konkretisht prej Greqisë, Bullgarisë, Shqipërisë, Austrisë dhe Kroacisë. Megjithatë, sipas verifikimeve të IRL-së, rafineritë e Kroacisë dhe Austrisë kanë mohuar të kenë bashkëpunuar me RKM-në.

Jozyrtarisht, sipas hetimit të Prokurorisë bëhet fjalë për një rrjet të ekspozuar të importuesve, të cilët në mënyrë ilegale kanë shpërndarë derivate me origjinë dhe cilësi të dyshimtë, e më pas kanë nxjerrë 10 miliardë denarë përmes marrëveshjeve fiktive të kredisë dhe shërbimeve të ndërmjetësimit.

Përndryshe, këto lëndë djegëse shpesh përmbajnë nivele të larta të sulfurit, metaleve të rënda ose komponimeve të tjera të dëmshme që mund të çojnë në ndotje serioze të ajrit dhe tokës. Sipas raportimeve nga disa institucione, disa mijëra qytetarë humbin jetën çdo vit dhe ndotja konsiderohet si një nga arsyet më të mëdha të emigrimit.

Sipas hulumtimeve paraprake të IRL-së, Kapushevski dy herë më parë është kapur duke importuar ose duke tentuar të importojë mazut të deklaruar rrejshëm. Doganierët kroatë e kanë kapur dërgesën nga Gjermania, ndërkaq më pas janë kryer kontrolle shtesë të dokumentacioneve. Inspektorati kroat i mjedisit ka konstautar se bëhet fjalë për mbetje toksike dhe se numrat tarifues janë të gabuara. Herën e dytë, mazuti që ka ardhur nga Sllovakia është kontorlluar në Inspektoratin e Tregut të Maqedonisë. Analizat kanë treguar se bëhet fjalë për mbetje toksike, jo për mazut./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button