Kërcimi në Liqenin e Ohrit i rrezikshëm dhe shpeshherë fatal – Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes

Kërcimi në Liqenin e Ohrit i rrezikshëm dhe shpeshherë fatal – Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes

Gazetar: Miki Trajkovski

Kërcimi në Liqenin e Ohrit shumë shpesh mund të jetë fatal për jetën, kryesisht për shkak të mosnjohjes së terrenit dhe mungesës së përvojës. I tillë është rasti me një djalosh pesëmbëdhjetëvjeçar nga Shkupi, i cili në orën 5 të mëngjesit ka kërcyer në Liqenin e Ohrit, shkruan Alsat.

Në spitalin e ortopedisë dhe traumatologjisë “Shën Erazmo”, mjekët kanë konstatuar lëndime të rënda trupore në qafë dhe paralizë të plotë të gjymtyrëve të poshtme, si dhe paralizë të gjymtyrëve të sipërme. Për këtë arsye, pacienti menjëherë është dërguar në qendrën klinike në Shkup.

“Menjëherë u kryen procedurat, u bë skaner i qafës, me ç’rast u konstatua frakturë e rëndë e rruazës së pestë të qafës. Kishte paralizë të plotë, pasi bëhej fjalë për dëmtim të palcës kurrizore”, tha Haralampie Shokaroski – drejtor i Spitalit të ortopedisë dhe traumatologjisë “Shën Erazmo” – Ohër.

Ky nuk është rasti i parë që persona të rinj, gjatë kërcimit në ujërat e liqenit, të përfundojnë fatalisht. Shokaroski thotë se 90% e rasteve përfundojnë me invaliditet të rëndë të pacientëve.

“Kjo ndodh sepse nuk bëhet vlerësim i mirë se ku po kërcehet, si është terreni, ku notuesit nuk i njohin kushtet, ku është cekët, ku është thellë. Mund të përplasesh në fundin e ujit, veçanërisht në orët e hershme të mëngjesit, kur ende nuk ka dukshmëri për not, dhe ndodhin tragjedi të mëdha, sidomos me të rinjtë që, të papërvojë, kanë ardhur për pushime dhe marrin vetë iniciativa që rezultojnë tragjike për shëndetin e tyre”, u hspreh Haralampie Shokaroski – drejtor i Spitalit të ortopedisë dhe traumatologjisë “Shën Erazmo” – Ohër.

Kryqi i Kuq apelon që të kihet kujdes se ku shkohet në plazh, përkatësisht të shfrytëzohen vendet që ofrojnë kushte të sigurta.

“Kryesisht gjatë fundjavës, kur ka më shumë notues, atëherë ndodhin edhe ndërhyrje të ndryshme. Do të doja t’i lus që të shkojnë në plazhe ku ka shpëtimtarë dhe t’i respektojnë rregullat e plazhit, por edhe t’i ndjekin rekomandimet që u jep shpëtimtari”, tha Arsenij Gjorsheski – shpëtimtar.

Fundi i Liqenit të Ohrit ka shtresë specifike, në shumë vende ka shkëmbinj nënujorë, e diku edhe mbetje nga shufra metalike dhe platforma që u shembën para katër vitesh, gjë që e thekson edhe më shumë nevojën për kujdes gjatë kryerjes së aktiviteteve të caktuara./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button