Këshilli i BE-së miraton Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor

Këshilli i BE-së miraton Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, një instrument i ri për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon. Me këtë miratim kanë përfunduar të gjitha procedurat dhe vendimi hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në gazetën zyrtare të BE-së. Pas kësaj, vendet nga Ballkani Perëndimor do të ftohen t’i paraqesin Komisionit Evropian agjendat e tyre të reformave, duke paraqitur reformat socio-ekonomike dhe themelore që planifikojnë të ndërmarrin në tre vjetët e ardhshëm. Vendet anëtare të BE-së do të kenë fjalën kryesore në miratimin e burimeve financiare. Pagesat do të bëhen dy herë në vit, me kusht që shtetet të përmbushin hapat cilësorë dhe sasiorë të specifikuar në agjendat e tyre të reformave. Kur parakushtet për mbështetje nuk plotësohen ose nuk plotësohen më, BE-ja mund të vendosë të pezullojë lirimin e fondeve. Plani i Rritjes arrin shumën prej gjashtë miliardë euro për vendet e rajonit. Nga kjo shumë, dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me këste shumë të favorshme. Në deklaratën e lëshuar nga Këshilli i BE-së, theksohet se qëllimi kryesor është mbështetja për harmonizimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së, me qëllim të anëtarësimin e ardhshëm në BE, si dhe integrimin progresiv të tyre në një treg të vetëm evropian, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button