Putin për herë të 5 betohet si president i Rusisë

Putin për herë të 5 betohet si president i Rusisë

Vladimir Putin u betua të martën si president i Rusisë – për herë të pestë. Ceremonia e inaugurimit në Pallatin e Madh të Kremlinit në Moskë u bojkotua nga shumica e vendeve perëndimore, kryesisht për shkak të luftës në Ukrainë. Të pranishëm ishin zyrtarë të lartë rusë dhe personalitete të tjera, por munguan përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Putin, 71 vjeç, ka qeverisur herë si president e herë si kryeministër i Rusisë që nga viti 2000. Nëse e çon deri në fund mandatin e ri 6-vjeçar, ai do ta tejkalojë udhëheqjen gati 30-vjeçare të diktatorit sovjetik, Josef Stalin, për t’u bërë udhëheqësi më jetëgjatë rus në më shumë se dy shekuj. Duke folur pasi bëri betimin, Putin tha se nuk do ta përjashtonte dialogun me Perëndimin, por, sipas tij, ai do të duhej të zhvillohej në “kushte të barabarta”.

“Po ju siguroj se interesat e sigurisë së popullit rus do të vazhdojnë të jenë mbi të gjitha për mua. Ne do të përcaktojmë fatin e Rusisë vetë. Ne kemi qenë dhe do të jemi të hapur për forcimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet, të cilët e shohin Rusinë si një partner të besueshëm dhe të ndershëm. Ne nuk e refuzojmë dialogun me shtetet perëndimore. Dialogu, është i mundur, por jo nga një pozicion force”, tha Vladimir Putin, president i Rusisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button