Këshilli i Prokurorëve njëzëri refuzoi ankesën e Ruskovskës

Këshilli i Prokurorëve njëzëri refuzoi ankesën e Ruskovskës

Gazetar: Lluka Andreev

Prokurorja Vilma Ruskovska, mbetet e pezulluar. Këshilli i Prokurorëve Publikë pas seancës njëorëshe, njëzëri e hodhi poshtë ankesën e kreut të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar, si të pabazuar, shkruan Alsat.

Prokurori Ljubomir Joveski, e pezulloi Ruskovskën për shkak të kallëzimit penal të ngritur ndaj ish-drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi, për bastisje në Drejtori. Sipas Antonio Jolevskit, kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Ruskovska duhet të largohet nga vendi i punës për të mos ndikuar në procedurën penale, e cila kontrollon ligjshmërinë e bastisjes në zyrën e Muaremit.

“Prokurorja Vilma Ruskovska, të largohet nga puna që me praninë e saj të mos ndikojë në rrjedhën e procedurës. Ne mendojmë se procesi do të përfundojë shpejt, kështu që kjo lëvizje nuk do të zgjasë shumë”, tha Antonio Jolevski, Kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Jolevski bëri të ditur se Prokuroria tashmë është duke mbledhur informacione për kallëzimin penal, të cilin e ka parashtruar ish drejtori i Policisë Financiare për bastisjen dhe se së shpejti pritet përfundimi. Sipas informacioneve të Këshillit të Prokurorëve, Prokurori i Shtetit ende nuk ka detaje nga bastisja në Policinë Financiare, të cilat paraprakisht i kërkoi nga Ruskovska, për të përcaktuar përgjegjësinë e mundshme.

“Ishte një vendim i vështirë. Megjithatë, nga njëra anë është prokurori themelor publik i cili duhet të ndjekë krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe nga ana tjetër kemi prokurorin publik, dhe mosbashkëpunimin mes prokurorit publik themelor për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, mosbashkëpunimin me prokurorin publik, gjë që ka çuar deri te këto situata të pakëndshme”, deklaroi Antonio Jolevski, Kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Ai ka urdhëruar Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, përkundër mungesës së Ruskovskës, të vazhdojë hetimin për pretendimet e kallëzimit penal anonim kundër Arafat Muaremit. Ruskovska nuk ka dashur të komentojë vendimin e Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Prokurori i shtetit ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj saj, dhe prokurorëve të prokurorisë së saj, Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska, për shkak të dyshimit se qëllimisht dhe në mënyrë të paarsyeshme kanë bërë gabim të madh profesional. Sipas informacioneve, komisioni disiplinor në Prokurori nuk është mbledhur ende dhe nëse përcaktohet përgjegjësia për këtë lloj vepre, parashikohet shkarkim ose gjobë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button